Aktuale

Hyseni i kërkon Austrisë t’i bëjë presion Serbisë për lirimin e Thaqit

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni në një takim me homologun austriak në Vjenë ka shprehur shqetësimin për praktikën e fletarresteve serbe që sipas tij janë me akuza të sajuara dhe të papranueshme ndaj pjesëtareve të UÇK-së. Ai i kërkoi ministrit Sobotka që të bëhet më shumë trysni, me qëllim që Beogradi të ndërprejë këto ndjekje të pabaza dhe urgjentisht të lirojë Nehat Thaqin, shkruan Gazeta Express.

Ministri Hyseni kërkoi përkrahjen e mëtejme të Austrisë edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe avancimit të bashkëpunimit me Europol-in, si dy mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtar të bashkëpunimit policor.

“Kosova duhet të anëtarësohet në këta mekanizma sa më shpejt, sepse kjo i kontribuon paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon”, theksoi ministri Hyseni.

Kurse, homologu Sobotka në fjalën e tij falënderoi ministrin Hyseni për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e tij të thellë për marrëdhëniet e afërta midis dy shteteve, e në veçanti midis dy Ministrive të Brendshme, duke theksuar gatishmërinë e tij dhe të Austrisë, për të bashkëpunuar edhe më tutje në çështje me interes të veçantë.