Aktuale

Ilir Deda: Subjekti i ri do ta shpëtojë vendin nga kriminelët e “Prontos” dhe nga Vetëvendosja (Video)

Sonte në emisionin “Komiteti Qendror” – drejtuar nga Berat Buzhala, Leonard Kerquki dhe Shpend Limoni – prodhim i Gazetës Express për RTV Dukagjini, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka folur për lëvizjen e re e cila po krijohet nga ai, Mimoza Kusari-Lila dhe një grup tjetër më i gjerë.
Deda ka treguar se në kohen kur vendi gjendet ndërmjet atyre që e zhvatin shtetin dhe atyre që kërkojnë zhbërjen e shtetit të Kosovës, një lëvizje e re politike është shumë e nevojshme për të ndryshuar këtë gjendje.

Ai ka thënë se në dy vitet e fundit është rritur jashtëzakonisht shumë numri i atyre që kërkojnë një lëvizje politike me mendësi të re dhe se subjekti që po krijohet nga ai, Mimoza Kusari-Lila dhe emra të tjerë është një alternativë e klanit “Pronto” dhe Vetëvendosjes.

Deda ka thënë se subjekti i ri politik promovon bashkimin e të gjithë të rinjve që duan ndryshime dhe nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e skenës politike, por edhe atyre të cilët janë të shpërndarë në parti të ndryshme dhe dëshirojnë të jenë pjesë e ideje të re. /Express/