Aktuale

Inaugurohen punimet për asfaltimin e rrugës Han i Elezit-Gorancë-Glloboçicë

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma dhe kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, inauguruan fillimin e punimeve për asfaltimin e rrugës Hani i Elezit – Gorancë – Glloboçicë.

Ministri Zharku theksoi se ky projekt është vazhdim i shumë projekteve nëpër të gjitha komunat e Kosovës, në të cilat po investohet dhe që po realizohen nga Ministria e Infrastrukturës.

“Sot po përurojmë vazhdimin e punimeve të rrugës Gorancë-Glloboçicë. Kjo është një kërkesë e kamotshme e qytetarëve të kësaj ane, të Komunës së Hanit të Elezit dhe Komunës së Kaçanikut. Kjo rrugë, përpos aspektit strategjik, bën lidhjen edhe të dy pikave kufitare, e po ashtu lidh magjistralen Prishtinë-Hani i Elezit, kurse në anën tjetër e lidh rrugën Prishtinë-Tetovë me pikën kufitare në Glloboqicë”, theksoi ministri Zharku.

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit tha se ky është një projekt që po realizohet në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit me komunën e Kaçanikut, për shkak se lidh dy komunat, lidh dy fshatrat dhe njëkohësisht dy pikat kufitare, që është në interes edhe të shtetit të Kosovës.

Ndërsa kryetari i Komunës së Kaçanikut tha se ky projekt do të lehtësojë udhëtimin e banorëve të kësaj ane gjatë sezonit dimëror.

Ky projekt i financuar nga Ministria e Infrastrukturës ka një gjatësi prej 5.28 kilometrash./KP