Aktuale

Inaugurohet Qendra e materialeve të riciklueshme në Vushtrri

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi mori pjesë në inaugurimin e Qendrës për grumbullim, klasifikim e paketim të materialeve riciklueshme në kuadër të projektit “Establishing Economically Viable Collecting and Packaging Recyclable Ëaste Platform”.

Ministri Abrashi me këtë rast u shpreh i kënaqur për inaugurimin e kësaj Qendre, e cila do të operojë si ndërmarrje sociale, e cila ka për qëllim të promovojë klasifikimin e materialeve të cilat do të shërbejnë për riciklim, duke i përfshirë grumbulluesit informal në zinxhirin e menaxhimit formal të mbetjeve.

Përfshirja e punëtorëve joformal të grumbullimit të mjeteve, krijon vende të reja të punës dhe mundëson atyre të mbledhin, klasifikojnë dhe të trajtojnë materiale të riciklueshme brenda një qendre të specializuar.

Ministri Abrashi gjithashtu theksoi gatishmërinë e tij dhe të Ministrisë që ai drejton për të përkrahur iniciativa të ngjashme të cilat janë në funksion të krijimit të vendeve të reja të punës, uljes së papunësisë dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, transmeton KosovaPress.

Projekti është financuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe të implementuar nga Komuna e Vushtrrisë.