Rajon & Botë

India buzë kolapsit, shënon rekord botëror të rasteve me Covid-19

India regjistroi 314.835 raste të reja me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit. Kjo shifër paraqet rekord të ri botëror dhe i çon spitalet e vendit edhe një hap më afër kolapsit.

Përhapja e pashembullt e virusit, e cila besohet të jetë shkaktuar nga variantet më ngjitëse të tij dhe masat jo shumë të rrepta, i ka stërngarkuar spitalet, duke krijuar mungesë të madhe të shtretërve, oksigjenit mjekësor dhe ilaçeve në qytetet kryesore. Rrjetet sociale janë të mbushura me lutje nga njerëzit që familjarët i kanë të sëmurë por që nuk janë pranuar në spitale.

Spitalet kanë paralajmëruar se nuk mund t’u bëjnë ballë kërkesave për pranim në kujdes mjekësor, ndërsa disa prej tyre kanë njoftuar se kanë rezerva të oksigjenit vetëm edhe për disa orë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Në rajonin Maharashtra, së paku 24 pacientë me Covid-19 vdiqën të mërkurën, kur oksigjeni në ventilatorë u mbaroi për shkak të një rrjedhjeje. Ky rajon i ashpërsoi masat e izolimit, duke e kufizuar në masë të madhe udhëtimin me vetura private, ndërsa trenat mund t’i përdorin vetëm punëtorët shëndetësorë dhe qeveritarë.

Gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan edhe 2.104 viktima të reja, që gjithashtu është shifër rekorde për shtetit e dytë në botë për numër banorësh. Vetëm në katër ditët e fundit, në Indi janë regjistruar mbi një milion të infektuar.