Aktuale

Iniciativa e LAA-së nuk e “shëron” ngërçin institucional

Nëpërmjet një iniciative që është e dedikuar të dështojë, koalicioni LAA synon ta tejkalojë bllokadën për konstituimin e Kuvendit. Ka në plan që deputetët e saj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese me dy pyetje, shkruan sot Koha Ditore.

Pas tentativës së pestë për ta konstituuar Kuvendin, e cila ka dështuar të hënën, kreu i grupit parlamentar të LAA-së, Avdullah Hoti, ka prezantuar iniciativën dhe ka bërë publike përmbajtjen e pyetjeve që synon t’i adresojë.

“E para, me mospjesëmarrjen në seancë dhe mosprezantim të kandidatit për kryetar të Kuvendit, a konsumohet e drejta kushtetuese për të pasur kryetarin e Kuvendit, dhe; e dyta, çka ndodh në rast kur një kandidati që propozohet për kryetar të Kuvendit nuk e merr mbështetjen e nevojshme”, janë dy pyetjet që Hoti ka thënë se do t’i adresohen gjykatës. “Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më tutje”.Neni 113 i Kushtetutës flet për palët e autorizuara për të ngritur çështje para gjykatës.

Aty theksohet se Kushtetuesja vendos vetëm për rastet e ngritura para saj në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.Po në këtë nen Kuvendit i njihet e drejta të pyes “nëse është shkelur Kushtetuta gjatë zgjedhjes së Kuvendit”.