Ekonomi

Inteligence Unit: Ekonomia shqiptare rritet 3.5% në 2017

Economist Inteligence Unit (EIU), një njësi e The Economist, në raportin për tremujorin e parë 2017 për Shqipërinë vlerëson se rritja ekonomike në vitin 2016 është përshpejtuar në 3.2%.

Për vitin 2017, raporton revista Monitor, EIU pret që rritja të përshpejtohet në 3.5%, si rrjedhojë e interesave të ulëta dhe përmirësimit të aktivitetit të brendshëm dhe për vitin 2018 në 3.6%.

EIU pret që inflacioni të rritet në muajt e ardhshëm, si rezultat i një kombinimi të çmimeve më të larta ndërkombëtare të energjisë, rritjes së kostove të importit, duke reflektuar një dollar më të fortë amerikan dhe një rritje në kërkesën e brendshme.

Rritja e pensioneve dhe pagave të sektorit publik, si dhe rritja e pagave minimale përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, do të përforcojnë presionet e inflacionit. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, EIU parashikon që në vitin 2017, inflacioni mesatar do të kthehet brenda intervalit të synuar të BSH për herë të parë që nga viti 2012. Në krahasim me raportin e kaluar, EIU ka rritur parashikimin për inflacionin nga 2.3% në 2.6%.

Duke pasur parasysh të dhënat më të fundit mbi performancën fiskale, EIU mban parashikimin se deficiti buxhetor në vitin 2017 do të ndryshojë pak, në 2.4% të PBB-së, përpara se konsolidimi fiskal të rifillojë në 2018, duke e ngushtuar deficitin buxhetor në 1.4% të PBB-së.