Rajon & Botë

Irani arreston disa persona në lidhje me rrëzimin e aeroplanit ukrainas

Organet e drejtësisë në Iran thanë se i kanë arrestuar disa persona për rolin e tyre në rrëzimin e aeroplanit ukrainas.

Njoftimin për arrestimin e disa personave të dyshuar e dha zëdhënësi i sistemit të drejtësisë, Gholamhossein Esmaili.

Ai nuk tregoi për numrin e saktë të personave të arrestuar dhe nuk dha asnjë hollësi tjetër lidhur me këtë veprim të autoriteteve.

Irani më parë ka pranuar se e ka rrëzuar aeroplanin me 176 persona, ku nuk pati asnjë të mbijetuar. Ky shtet tha se rrëzimi i aeroplanit është bërë për shkak të një gabimi nga ushtria, duke menduar se ai është objekt i armikut.

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, ka shprehur keqardhje për këtë ngjarje dhe ka thënë se rrëzimi i aeroplanit është një gabim i pafalshëm.

Shumica e viktimave në këtë aksident ishin iranianë dhe kanadezë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar dëmshpërblim dhe hetim të plotë nga Irani, ndërsa kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka premtuar drejtësi për kanadezët që e humbën jetën në këtë aksident, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.