Aktuale

Isa Mustafa: Fillimi i Ri i PDK-së dështoi

Kryeministri në largim dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook ka shkruar se qeverisja bazohet në njerëz, por votat janë numra dhe sipas tij PAN-i nuk i ka as votat, e as njerëzit. “Në zgjedhje ka marrë përkrahjen e çerekut të votuesve, kurse çereku i votave nuk paraqet kurrfarë shumice për të pretenduar për t’i bërë institucionet”, shkruan Mustafa.

Shkrimi i plotë i Mustafës:

Fillimi i Ri i PDK-së dështoi. “Çdo fillim i ri fillon në fund të një fillimi të vjetër”. Dhe ky fillim i PDK-së, që ishte mohim i vetvetes, nuk e pat as fatin e kësaj të vërtete shkencore. Numrat, për të cilët ka dalë në gjueti Koalicioni PAN, janë gëlltitje e kritikave se qeverisja nuk bazohet në numra. Në fakt qeverisja bazohet në njerëz, por votat janë numra. PAN nuk i ka as votat e as njerëzit. Në zgjedhje ka marrë përkrahjen e çerekut të votuesve, kurse çereku i votave nuk paraqet kurrfarë shumice për të pretenduar për t’i bërë institucionet. Në këtë shoqëri, secili duhet të bartë pasojat e veprimeve të veta.