Aktuale

Ish-Lideri komunist, këshilltar i Enver Hoxhajt (Foto)

Azem Vllasi, ish-lider komunist në kohën e Jugosllavisë duket të jetë personi më i përshtatshëm për këshilltar për ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Raportimet e kësaj jave në media, tregonin se Vllasi është duke u emëruar këshilltar i jashtëm i ministrit Enver Hoxhaj. Këtë e ka konfirmuar sot për KosovaPress Bashmir Xhemaj, këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Xhemaj ka thënë se Vllasi, i cili tashmë është emëruar në këtë pozitë, përgjithësisht do të merret me çështje që kanë të bëjnë me Bosnjën dhe Hercegovinën.

Në kohën e ish-Jugosllavisë Azem Vllasi kishte pozitat më të larta në Kosovë dhe në udhëheqjen e ish-Jugosllavisë.

Më 1974 ishte zgjedhur kryetar i organizatës së rinisë së Jugosllavisë. Pastaj ka vazhduar me pozitat me të larta në ish-Jugosllavi dhe Kosovë. Në vitet e 80-ta ishte kryetar i Krahinës Autonome të Kosovës (1985-1988).

Në foto: Tito-Vllasi

Ai është i martuar me Nadira Vllasin, me përkatësi boshnjake dhe kjo ndoshta duket të jetë edhe një nga arsyet e emërimit.

Përndryshe, Bosnja dhe Hercegovina ende nuk e ka e njohur Republikën e Kosovës dhe pasaportat e saj. /KosovaPress/