Aktuale

ITU ia ndan Kosovës kodin telefonik shtetëror 383 më 15 dhjetor

Në bisedimet që zgjaten tre ditë në Bruksel, e që përfunduan sonte, u konfirmuan obligimet finale zbatuese për çështjen e kodit shtetëror telefonik për Kosovën.

Siç njofton Zyra e ministres Edita Tahiri, e cila udhëheq delegacionin e Kosovës, ky proces u përmbyll me sukses me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, me të cilin u konfirmua se në bazë të Marrëveshjes për telekomin, ashtu siç është paraparë me planin për zbatim për telekomin, ITU do t’ia ndajë Kosovës kodin telefonik 383 më datë 15 dhjetor 2016.

Ministrja Edita Tahiri tha se për herë të parë në histori, Kosova do ta ketë kodin telefonik shtetëror dhe shtoi se me marrjen e kodit të vet telefonik shtetëror, Republika e Kosovës e fiton sovranitetin shtetëror në fushën e telekomunikacionit dhe subjektiviteti i saj si shtet në fushën e telekomunikacionit do të njihet nga bashkësia ndërkombëtare, përmes kodit të saj telefonik.

Ajo ka theksuar se Kosova më në fund do ta kodin e vet telefonik, ndërsa të gjitha kodet ekzistuese 381, 377, 386 do të shuhen. Ministrja Tahiri potencoi se do të shuhen të gjithë operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999, transmeton KosovaPress.