Aktuale

Ja çfarë thonë gazetarët britanikë për Rambujenë në librin për Thaçin

Këto ditë janë bërë 19 vjet nga Marrëveshja e Parisit, e cila erdhi pas negociatave në Rambuje.

Delegacioni i Kosovës që kryesohej nga Hashim Thaçi, asokohe përfaqësues i UÇK-së, kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

Pala serbe i kishte përjashtuar kompromiset që ishin parashikuar nga pala ndërkombëtare, edhe pse ishte paralajmëruar se do të bombardoheshin nga forcat paqeruajtëse të NATO-s me mos pranimin e nënshkrimit të marrëveshjes.

Por, çfarë do të ndodhte sikur ta kishte pranuar edhe pala serbe këtë marrëveshje?

Në librin biografik të dy autorëve britanikë “New State, Modern Statesman” për presidentin Hashim Thaçi, vetë Thaçi jep sqarime për ecurinë e negociatave në Rambuje e Paris.

Përfaqësuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, sipas autorëve britanikë, ishte ndër të vetmit që në Rambuje mendonte për pavarësinë e Kosovës, derisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe një pjesë të delegacionit të Kosovës kjo ishte utopike.

Ishin dy pika, sipas tyre, që e ndanin Thaçin me bashkësinë ndërkombëtare.

Thaçi kishte insistuar që të ketë një qartësi për statusin e Kosovës, përmes organizimit të një referendumi dhe nëse pala serbe nuk e nënshkruan, të ketë intervenim të NATO-s.

Por, dhe pas presionit shumë të madh që ishte bërë mbi një 31 vjeçar, Thaçi sipas autorëve asnjëherë nuk kishte hequr dorë nga përfshirja e të drejtës së popullit për vetëvendosje dhe pikës tjetër që NATO-ja të intervenojë, nëse Serbia nuk e nënshkruan këtë marrëveshje.

“Unë bëra një plan që çdo marrëveshje që do të nënshkruhej, duhet të vlejë vetëm për tre vjet. Pas një periudhe të përkohshme, në marrëveshje duhej të shkruhej që populli i Kosovës ka të drejtën të votojë për të ardhmen e vet. Pra, që populli i Kosovës të ketë të drejtën e mbajtjes së një referendumi për vetëvendosje”, citohet të ketë thënë Thaçi për autorët britanikë.

Sipas autorëve të librit, presioni më i madh gjatë negociatave ishte ndaj Hashim Thaçit, sepse ishte kundërshtuesi më i madh.

Më në fund, Albright dhe zëdhënësi i saj, pas bisedave të gjata, të mundimshme dhe përplot presione, kishin arritur ta bindin Thaçin që të nënshkruante marrëveshjen.

Gazetarët e famshëm britanikë shkruajnë se ata e kishin garantuar Thaçin që NATO-ja do të intervenojë nëse Millosheviqi nuk e nënshkruan marrëveshjen, derisa në anën tjetër e kishin siguruar atë se kushtet e vëna nga delegacioni kosovar dhe bashkësia ndërkombëtare ishin të pakapërdishme për Millosheviqin.

“Thaçit i është dashur një narracion për të bindur pjesën tjetër të UÇK-së për të pranuar marrëveshjen”, thuhet në libër.

Sipas autorëve, Thaçit iu garantua që nëse Kosova nënshkruan marrëveshjen dhe Serbia jo, atëherë NATO do të intervenonte në Kosovë.

the authorE B