Aktuale

Jabllanoviq ndihet i kërcënuar me jetë nga Vuçiqi

Aleksandar Jabllanoviq, lider i Partisë së Serbëve të Kosovës thotë se ndihet i kërcënuar me jetë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke pretenduar se orkestrimin e dhunës ndaj tij, gjatë zgjedhjeve parlamentare e ka bërë Beogradi zyrtar.

Ai thotë se Serbia do të ndërhyjë në zgjedhjet lokale në Kosovë edhe më fuqishëm se në ndërhyrjen që pati në zgjedhjet parlamentare, duke përmendur fakte konkrete.

Ai foli për arbresh.info rreth aktualitetit politik, për herë të parë për dhunën në zgjedhjet parlamentare ndërmjet serbëve të Kosovës, dhe mundësisë së përsëritjes në zgjedhjet lokale.

“Për OSBE-në si mision, është dashur më rreptësishtë dhe në kohë të reagojë, që gjitha ajo të ndalet, dhe ambasadat e shteteve perëndimore të cilat është dashur jo vetëm ta paralajmërojnë, por ta ndalojnë Beogradin që mos të bëhet ai presion politik ndaj serbëve të Kosovës, posaçërisht ndaj serbëve të veriut të Kosovës, të cilët ndodhen në mes të çekiçit dhe hekurit, në mes të Beogradit dhe Prishtinës dhe janë të goditur pa ndërprerë.”

Ai beson se sulmet ndaj tij kanë qenë të orkestruara nga Beogradi zyrtar, duke treguar edhe rastin kur Jabllanoviq i kishte drejtuar armën serbëve në veri të vendit.

Ai thotë se serbët e Kosovës përfundimisht duhet të lirohen nga dirigjimi i Beogradit, duke përmendur emra konkret që mund të jenë në “listën e zezë” të serbëve që mund të bashkëpunojnë me Serbinë.

Një pjesë të fajit ai ja lë bashkësisë ndërkombëtare dhe Qeverisë së Kosovës.

Partia e Jabllanoviqit do të garojë në zgjedhjet lokale vetëm me një listë në Komunën e Leposaviqit, duke treguar në intervistë arsyet e këtij vendimi.

Jabllanoviq, ka folur edhe për dialogun në Bruksel, duke kritikuar ashpër dy presidentët për faktin e mospërfshirjes të serbëve të Kosovës në këtë dialog.