Aktuale

Jahaj: Të mos riciklohen figurat e vjetra politike, është koha të ikin

Dega e partisë më të re në vend ‘Alternativa’ në Prizren ka bërë sot prezantimin e kandidatit për deputet në Kuvendin e Kosovës.

“Alternativa’ ka zgjedhur që të kandidojë ish- gazetarin Kastriot Jahaj, i cili së fundmi i është bashkuar kësaj partie.

Me këtë rast, Jahaj ka arsyetuar aderimin e tij në këtë parti, duke vlerësuar se është vendi i duhur nga ku mund të bëhet ndryshimi i rrënjësishëm i jetës së qytetarëve të Kosovës.

Sipas Jahajt ‘Alternativa’ që në nismën e saj është dëshmuar për transparencë dhe llogaridhënie.

“Alternativës bashkë me mua i janë bashkuar shumë të rinj e të reja politikanë pasiqë nuk pretendojnë të kenë një të ardhme politike në vend, por të cilët besojnë në institucione demokratike në institucione që i japin llogari qytetarit dhe ne këtë e kemi dëshmuar. Një parti politike e cila në të ardhmen do ti japë llogari qytetarit, duhet të bëjë publike veprimet e brendshme që i ka marrë për të ardhmen e qytetarit”, tha Jahaj.

Jahaj konsideron se tashmë vendit i duhen politikanë të rinj e me mendësi të re, meqë sipas tij, që nga paslufta në Kosovë qeverisin njerëzit e njëjtë dhe se të tillët nuk e kanë dëshmuar se kanë pasur prioritet jetën e qytetarëve.

Qytetarët sipas tij, tashmë kanë një zgjidhje dhe nuk kanë nevojë të votojnë politikanë të korruptuar apo ti riciklojnë figurat e vjetra politike.

“Qysh nga përfundimi i luftës Kosovën e udhëheqin politikanët e njëjtë, dhe ka ardhur koha për politikanë të rinj me institucione që garantojnë transaparencë. Jam kandidat Alternativës nga qyteti i Prizrenit, edhe ky qytet ka mundësi të zgjedh politikanë që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve të vet”, tha Jahaj.

Duke u bërë thirrje qytetarëve të Prizrenit që të votojnë për koalicionin LDK-AKR-Alternativa, Jahaj tha se bashkëthemeluesit e kësaj të fundit Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Deda, janë dy figura të cilat e kanë dëshmuar vetën si në qeverisjen në nivelin qendror poashtu edhe në atë lokal.

Jahaj shtoi se marrëveshja e nënshkruar me Lidhjen Demokratike të Kosovës është në pajtueshmëri të plotë me programin dhe parimet qeverisëse të Alternativës të cilat garantojnë zhvillim të përshpejtuar ekonomik, sistem të drejtësisë të reformuar, luftë të pakomrpomistë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sistem të edukimit, si dhe marrëdhënie më të mira me rajonin dhe botën. /KosovaPress/