Aktuale

Jep 90 mijë euro me “fajde”, arrestohet

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në një fshat të Vitisë nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale ‘fajde’.

Gjatë këtij operacioni policor është realizuar bastisja e një shtëpie me objektet tjera përcjellëse.

“I dyshuari i arrestuar në këtë rast është A. R. lindur me 1963. Personi i dyshuar tanimë i arrestuar, në fillim të vitit 2015 dyshohet se i ka dhënë një personi nga qyteti i Ferizajt 22.000 FCH (njëzet e dy mijë franga) zvicerane, kurse në muajin qershor të vitit 2016 të njëjtit ia ka kërkuar 70.000 (shtatëdhjetë mijë euro), në formë kamate të jashtëligjshme. Në pamundësi të kthimit të kësaj kamate viktima është detyruar t’ia japë të dyshuarit një shtëpi banimi, në të cilin gjendet edhe një lokal afarist”, thuhet në komunikatën për media.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar disa dokumente për shitblerjen e patundshmërive, fletore të ndryshme etj.

I dyshuari për momentin është duke u intervistuar nga ana e hetuesve të njësisë për hetimin e krimeve ekonomike./KosovaPress/