Aktuale

Kalon rekomandimi i PDK-së për rastin Dehari

Në seancën e jashtëzakonshme për rastin e Astrit Deharit, me iniciativën e PDK-së, në Kuvendin e Republikës së Kosovës është votuar rekomandimi, ku familjes Dehari, në rast të dyshimeve në ekspertizat e institucioneve përgjegjëse, mund të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të bëjë ekspertiza shtesë edhe jashtë vendit, nga cilido vend i BE-së dhe SHBA-së që ajo dëshiron.

Më këtë rast, Qeveria e Kosovës duhet t’i mbulojë tërësisht shpenzimet për çdo ekspertizë shtesë.

Ky është projekt rekomandimi i PDK-së:

1.Kuvendi i Republikës së Kosovës me qëllim të mbrojtjes së Kushtetutës dhe vlerave kushtetuese të Republikës së Kosovës edhe një herë shpreh përkushtimin e vet, që në Republikën e Kosovës të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe që secili individ të gëzojë të drejtën për jetë.

2.Vdekja e shtetasit të Republikës së Kosovës, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit, e cila ka sjellë reagime deri në politizim të skajshëm, duhet të zbardhet në mënyrë transparente dhe të mos i lihet hapësirë manipulimeve politike.

3.Kuvendi fton të gjitha institucionet përgjegjëse që t’i marrin masat e duhura, në kuadër të kompetencave ligjore dhe të mos lënë asnjë pikë dyshimi në këtë rast.

4.Familja Dehari, në rast të dyshimeve në ekspertizat e institucioneve përgjegjëse, mund të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të bëjë ekspertiza shtesë edhe jashtë vendit, nga cilido vend i BE-së dhe SHBA-së që ajo dëshiron. Më këtë rast, Qeveria e Kosovës duhet t’i mbulojë tërësisht shpenzimet për çdo ekspertizë shtesë.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje propozoi një projekt-rezolutë e cila nuk kaloi./KosovaPress/