Rajon & Botë

Kaosi në Venezuelë, shkarkohen gjeneralët, rekrutohen ushtarë

Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro shkarkoi 4 komandantë të lartë ushtarakë, për shkak të përdorimit të armëve të zjarrit kundër protestuesve gjatë muajve të fundit me trazira.

Në media u shfaqën pamje të forcave të sigurisë që hapin zjarr ndaj protestuesve, e Presidenca tha se reagoi për të mos lejuar përsëritjen e këtyre episodeve.

Të shkarkuarit janë që të gjithë gjeneralë, që drejtonin respektivisht Gardën Kombëtare, Ushtrinë, Marinën dhe Komandën Qendrore Strategjike. Por, në të njëjtën komunikatë për shtyp, duke hedhur poshtë pretendimin për mosushtrim dhune, Maduro lajmëroi rekrutimin e 40 mijë policëve dhe ushtarëve të rinj, duke treguar fare qartë se synon të mbajë pushtetin, transmeton tch.

Prej muajsh, Venezuela është në krizë të plotë dhe mes protestave të shumta, që kërkojnë zgjedhje të reja dhe largimin e qeverisë, të cilave kjo e fundit i është përgjigjur me dhunë. Të paktën 75 njerëz janë vrarë që prej prillit.

Pavarësisht rezervave të mëdha të naftës, Venezuela është në krizë të thellë ekonomike dhe në dyqane mungojnë mallrat bazë, si ushqimet dhe ilaçet. Opozita fajëson qeverinë për keqmenaxhim dhe sjellje diktatoriale, ndërsa Maduro drejton gishtin nga sabotatorë, që sipas tij janë të huaj dhe vendas.

Në mbledhjen e Organizatës së Shteteve Amerikane, qeveria e Venezuelës e shprehu mjaft qartë pozicionin e saj, teksa e akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut, përmes ministres së saj të Jashtme i cilësoi kritikët e vendit si qen të imperializmit.