Aktuale

Kapitanovic: Jemi zëri juaj më i fuqishëm në Bruksel

Ambasadorja kroate në Prishtinë, Marija Kapitanovic ka deklaruar se Kroacia ofron përkrahje të vazhdueshme si rreth anëtarësimit në NATO, ashtu edhe integrimit në Bashkimin Evropian.

Ajo këto komente i bëri gjatë takimit me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli. Ky i fundit tha se bashkëpunimi dypalësh me Kroacinë në fushën e sigurisë ka qenë jashtëzakonisht produktiv, dhe se shteti kroat dhe Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë kanë dëshmuar se mbështesin plotësisht përpjekjet e shtetit të Kosovës për konsolidimin dhe avancimin e institucioneve të sigurisë të vendit tonë.

Demolli i falënderoi ambasadoren Kapitanovic dhe gjeneralin Beretin për vizitën dhe gatishmërinë e tyre për shkëmbim përvojash në fushën e inspektoratit,  si dhe për mbështetjen që vendi i tyre ka ofruar në vazhdimësi për FSK-në dhe angazhimet tona rajonale dhe ndërkombëtare.

Nga ana e saj, ambasadorja e Kroacisë, Kapitanovic tha se shteti i Kroacisë  dhe shteti i Kosovës po zhvillojnë dhe ndërtojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se marrëdhëniet më intensive i ka pikërisht në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Ambasadorja tha gjithashtu se vendi i saj ka kaluar nëpër të njëjtat vështirësi dhe situata, si dhe ka kaluar të njëjtën përvojë dhe për këtë Kapitanovic tha se vendi i saj është angazhuar dhe do të angazhohet që shteti i Kosovës të mos ketë pengesa të natyrës që Kroacia i ka kaluar më parë.

Ambasadorja Kapitanovic në fund tha se Kroacia ofron përkrahje të vazhdueshme  si rreth anëtarësimit në NATO, ashtu edhe integrimit në Bashkimin Evropian, me një fjalë ambasadorja tha se ,,Jemi zëri juaj më i fuqishëm në Bruksel’’.

Delegacioni kroat, sot gjatë ditës në vazhdim do të ketë takime me Inspektoratin e FSK-së si dhe do të vizitojë Komandën e Forcave Tokësore të FSK-së dhe Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, ku do të pritet nga stafi komandues i njësive./KosovaPress/