Rajon & Botë

Katalonia kërkon pavarësi

Katalonia e përshkallëzon sfidën e saj separatiste me shpalljen e referendumit të pavarësisë në 1 tetor të këtij viti

Qeveria spanjolle është zotuar të bëjë ç’është e mundur për të parandaluar mbajtjen e votimit të shumëdiskutuar plebishitar, të cilin e konsideron të paligjshëm.

Por, mekanizmi ndërkohë është vënë në lëvizje. Carles Puigdemont, kryetar i qeverisë së Katalonjës, tha: “Pyetja që do t’iu shtrohet votuesve është nëse duan që rajoni të bëhet shtet i pavarur në formën e një republike. Referendumi do të mbahet në 1 tetor. Qeveria jonë ka një angazhim të padiskutueshëm demokratik për organizimin e tij. Kryeministri spanjoll nuk ka bërë asgjë serioze, të sinqertë apo reale për zgjidhjen e kësaj çështjeje”.

Ekzekutivi rajonal pro-sovranitetit këmbëngul se zona e pasur në verilindje të Spanjës ka të drejtën e vetadministrimit politik, ekonomik dhe kulturor. Madridi zyrtar është kategorikisht kundër shkëputjes.

“Mund ta shpallin referendumin sa herë të duan”, tha zëvendëskryeministrja spanjolle Soraya Sáenz de Santamaría, por ai, sipas saj, nuk ka për të ndodhur. Mbi 80% e pjesëmarrësve të një votimi simbolik tre vjet më parë zgjodhën mëvetësinë. Qendrave të votimit në atë rast iu drejtuan vetëm 2.3 milionë zgjedhës nga 5.4 milionë që shënon elektorati katalonjas. Këtë herë, megjithatë, qeveria e atjeshme këmbëngul se rezultati do të jetë ligjërisht detyrues.