Aktuale

Katër të lënduar nga aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”, Emergjenca jep detaje

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në autostradën “Ibrahim Rugova”, saktësisht në dalje të Fushë-Kosovës.

Në aksident janë përfshirë 10 vetura, ndër to edhe kamionë. Aksidenti në fjalë ishte zingjiror dhe ndër veturat e përfshira kishte nga ato me targa vendore, të huaja dhe një veturë e Policisë së Kosovës.

Lidhur me këtë, Indeksonline ka kontaktuar Drejtorin e Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, i cili ka konfirmuar se tashmë kanë pranuar katër persona të lënduar në QKUK.

“Tashmë i kemi katër persona të lënduar të cilët janë në diagnostikim e sipër, pra janë në trajtim mjekësor. Nuk mund të japim detaje të tjera për momentin”, ka thënë Lenjani.

Ndërkohë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë për Indeksonline se në vendin e ngjarjes tashmë janë Njësitet e Policisë të cilët edhe po kryejnë të gjitha procedurat për hetimin e rrethanave dhe shkaqeve që kanë quar deri tek ky aksident me lëndime dhe dëme të konsiderueshme materiale./Indeksonline/