Sport

Katër vjet nga triumfi historik i Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike

Sot janë shënuar katër vjet nga suksesi historik i xhudistes kosovare, Majlinda Kelmendi, në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, ku pejania u bë kosovarja e parë që shpërblehet me medalje të artë Olimpike.

7 gushti i vitit 2016 do të mbetet përgjithmonë në histori të sportit të Kosovës pasi që, pikërisht në këtë ditë, Kosova e mori medaljen e parë të artë të Lojërave Olimpike në histori të vet, shkruan Gazeta Express.

Falë suksesit të Majlinda Kelmendit, Kosova tani ndodhet në mesin e 106 shteteve të botës që kanë të paktën një medalje të artë Olimpike në koleksionin e vet.

Majlinda, në atë kohë 25-vjeçare, kishte triumfuar në kategorinë e peshave deri në 52 kilogramë, pasi që e kishte mposhtur italianen Odette Giuffrida me “yoku” në finale.

Pas triumfit, pejania ishte ulur në gjunjë dhe kishte filluar të qante, pak para se të shkonte te një grup i vogël i përkrahësve, të cilët po thërritnin “Kosova, Kosova!”.

“Unë gjithmonë kam dashur t’ia dëshmoj botës se Kosova nuk është vetëm një vend që ka kaluar nëpër luftëra”, kishte thënë Kelmendi pas suksesit, me flamurin e Kosovës të shtrirë nëpër shpinë.

Ajo tha se shpresonte ta frymëzonte gjeneratën e re të Kosovës, për të cilët tha se e shohin atë si heroinë.

“Unë sapo ua dëshmova atyre se edhe pse sapo i kemi mbijetuar një lufte, nëse duam diçka, mund t’ia arrijmë”, shtoi Kelmendi.

“Nëse ata duan të jenë kampionë Olimpikë, ata mund të bëhen të tillë. Edhe nëse ne vijmë nga një vend i vogël e i varfër. Kjo medalje do të thotë shumë, jo vetëm për sportin kosovar, por për të gjithë Kosovën si vend”.

“Ne i kemi mbijetuar një lufte. Ka ende fëmijë të cilët nuk e dinë nëse prindërit e tyre janë të gjallë. Kështu që fakti se mund të bëhemi kampione Olimpike është diçka madhështore për ne”.

Kjo kishte qenë hera e dytë që kosovarja kishte marrë pjesë në Lojërat Olimpike, pasi që ajo kishe garuar edhe në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, kur e kishte përfaqësuar Shqipërinë.

Komiteti Olimpik i Kosovës ishte themeluar në vitin 1992, por u pranua nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik vetëm në vitin 2014.

the authorGazetaKNN