Aktuale

KEK-u tërhiqet nga padia për kompensim dëmi

Përfaqësuesja e autorizuar e KEK-ut, Malsore Berisha, ka deklaruar se pas kërkesës së bërë nga ana e të paditurit, e cila është aprovuar që pjesa e borxhit prej 1.772.20 euro, të korrigjohet apo të hyjë në pjesën e faljes së borxhit sipas Ligjit mbi Faljen e Borxheve Publike, në të cilin rast, pjesa dërmuese e dëmit të kërkuar i është falur.

Në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), është tërhequr nga padia për kompensim të dëmit material, ndaj të paditurit, Isa Bajgora.

Berisha ka thënë se mbi sqarimin e dhënë, KEK-u, si palë paditëse në këtë çështje juridike kontestimore, e bën tërheqjen e padisë ndaj të paditurit, Isa Bajgora.

Gjykata më pas ka marr aktvendim, me të cilin është konstatuar tërheqja e padisë.

Kurse, palët ndërgjyqëse kanë deklaruar se nuk kërkojnë aktvendim të veçantë me shkrim, andaj, aktvendimi në procesverbal do të shërbej si aktvendim i veçantë me shkrim.

Sipas padisë, i padituri prej datës së pavërtetuar deri më 16 qershor 2008, me qëllim që vetes t’i sjell pasuri të kundërligjshme ka shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë të paautorizuar, ashtu që në njehsorin elektrik ka manipuluar me numërues duke kthyer numrat prapa në numërator.

Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas padisë, më 14 korrik 2013 ka hudhur poshtë propozim akuzën e ish-Prokurorisë Publike Komunale dhe ka pushuar procedurën penale kundër Isa Bajgorës, për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale, ndërsa pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

Kërkesa pasurore- juridike që është parashtruar nga pala paditëse në këtë rast, kishte qenë 1.772.20 euro