Aktuale

Kelmendi: Kosova nuk ka pse të mbetet peng i një individi, të zhbllokohet posti i kryetarit të Kuvendit

Gazetari, Adriatik Kelmendi, ka komentuar situatën e krijuar në kuvend dhe shtyerjen e punimeve të seancës për nesër. Kelmendi ka thënë se PDK-ja nuk është partia më e madhe në vend dhe se Kadri Veseli nuk është politikani më i votuar. Ai thotë se nëse Veseli nuk i ka votat për Kryetar të Kuvendit nuk ka të drejtë ta bllokojë gjithë Kuvendin.
“Kuvendi e as Kosova nuk ka përse të mbetet peng i një individi (i cili s’është as më i votuari) ose i një partie (e cila s’është më e votuara). Të zhbllokohet posti i kryetarit të Kuvendit dhe pastaj të hapet rrugë për të testuar mbështetjen për Haradinajn, si kandidat i PAN-it”, shkruan Kelmendi në FB, transmeton Express.

Ky është statusi i tij i plotë:

PDK-ja si parti nuk është më e madhja në Kosovë, por e ndanë me LDK-në vendin e dytë.

Kadri Veseli nuk është deputeti më i votuar në Kosovë, por është Albin Kurti.

PAN-i si koalicion ka dalë subjekti më i votuar në zgjedhje dhe i takon ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe pastaj kandidatin për kryeministër.

Deri këtu gjithçka e qartë. Besoj se edhe sot të gjitha grupet parlamentare nuk bënë diçka për t’i mohuar këto fakte. Ishin sjellje korrekte çfarë ka kohë që ndoshta s’i kemi parë në Kuvend.

Mirëpo, nëse Veseli nuk i ka votat për kryetar Kuvendi, PAN-i ka të drejtë t’i propozojë edhe 38 deputetë të tjerë të tyre, ose edhe 119 të Kuvendit – por nuk ka asfarë të drejte ta bllokojë gjithë Kuvendin dhe gjithë përfaqësuesit e popullit që t’ia fillojnë punës në mandatin e fituar.

Kuvendi e as Kosova nuk ka përse të mbetet peng i një individi (i cili s’është as më i votuari) ose i një partie (e cila s’është më e votuara).

Të zhbllokohet posti i kryetarit të Kuvendit dhe pastaj të hapet rrugë për të testuar mbështetjen për Haradinajn, si kandidat i PAN-it.

Nëse edhe ai s’mundet – të ecet tutje.

Mjaft është humbur kohë para 3 vjetësh e përgjatë 3 vjetëve.

the authorE B