Ekonomi

Kelmendi premton bashkëpunim për zhvillimin e bizneseve të Gjakovës

Komunën e Gjakovës sot e ka vizituar zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, ku ka thënë se komunën e Gjakovës ka mjaft biznese si ato të tekstilit, të cilave iu mungon hapësira e duhur për të punuar, ndërsa, si Qeveri kanë formuar fondin për garantim të kredive për ato biznese të cilave iu mungon kapitali.

Në këtë takim është diskutuar kryesisht për çështjet ekonomike të komunës së Gjakovës për sfidat me të cilat përballen bizneset e Gjakovës dhe mundësitë për tejkalimin e këtyre krizave si dhe përmirësimin e sektorit të biznesit.

Gjatë konferencës për media, kryetarja Mimoza Kusari-Lila, është shprehur që në takim me zëvendës kryeministrin Kelmendi kanë diskutuar për zhvillimin lokal dhe mënyrat për stimulimin e prodhimit vendor.

Sipas një komunikate të Komunës së Gjakovës, Kusari-Lila ka bërë të ditur edhe njëherë kërkesat e komunës së Gjakovës drejtuar qeverisë së Kosovës dhe AKP-së, të cilat ende nuk janë adresuar, për funksionalizimin e zonës industriale si dhe për hyrje-daljet e qytetit projekt ky që është mbështetur nga BERZH. Kusari-Lila ka theksuar që një bashkëpunim i mirë në mes të nivelit qëndror dhe atij lokal ka ndikim shumë të madh për ekonominë e vendit.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi është shprehur se në vazhdën e vizitave nëpër komuna do të vizitojmë edhe bizneset lokale të komunës së Gjakovës për të parë nga afër mungesat dhe përparësitë e këtyre bizneseve.

Kelmendi ka theksuar që komuna e Gjakovës ka hapësira të mjaftueshme për zhvillimin e zonave ekonomike dhe se si Qeveri do të bashkëpunojmë ngushtë në këtë fushë në mënyrë që të rrisim potencialet për investitorë.

Ai po ashtu është shprehur se në komunën e Gjakovës ka mjaft biznese si ato të tekstilit, të cilave iu mungon hapësira e duhur për të punuar, ndërsa, si Qeveri kanë formuar fondin për garantim të kredive për ato biznese të cilave iu mungon kapitali./KosovaPress/