Aktuale

Kërkohet ndarja e buxhetit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, Medica Kosova, Medica Gjakova dhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, kërkojnë që gjatë rishikimit të buxhetit për 2017 të ndahet buxheti për procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, dhe përcaktimin e shumës së pensionit personal.

Shkresa me këto kërkesa u është dërguar kryeministrit Ramush Haradinaj, ministrit të Financave Bedri Hamza dhe atij të MPMS-së Skender Reçica.

Personat e dhunuar gjatë luftës janë paraparë si kategori e veçantë me Ligjin nr. 04/L-172 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre.

Në mungesë të ndarjes së buxhetit për këtë kategori, ende nuk është funksionalizuar Komisioni Qeveritar, ku mbijetuarit ende nuk mund t’i dorëzojnë aplikacionet e tyre.