Aktuale

Kërkohet më tepër angazhim për zbardhjen e të pagjeturve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti kryetarin e delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur në luftën e fundit, Ibrahim Makollin, me të cilin diskutoi për personat e pagjetur dhe hapat që duhet ndërmarrë për t’i dhënë fund kësaj çështje të dhimbshme për shoqërinë kosovare.

Makolli theksoi hapat që duhet të ndërmerren nga Qeveria e Kosovës që ky aspekt, i rëndë për shoqërinë kosovare, të marrë vëmendjen e duhur të Qeverisë duke bashkërenduar veprimet e të gjithë mekanizmave qeveritarë dhe të sektorit civil.

Ai po ashtu kërkoi që anëtari i UNMIK-ut në këtë trupë qeveritare të ndërrohet, duke e zëvendësuar me ndonjë përfaqësues të BE-së, duke kërkuar zgjidhje të shpejtë të problemeve që kanë mbetur pezull, siç është caktimi i një zyrtari për sistemimin dhe ruajtjen e dokumentacionit, çështja e 300 mbetjeve mortore në morgun e QKUK-së, si dhe rishqyrtimin e disa rivarrimeve të viteve të pasluftës në përputhje me ADN-të.

Kryeministri Haradinaj u zotua që për një javë t’u jepet zgjidhje këtyre aspekteve, në bashkëpunim me të gjitha palët e përfshira në këtë proces.