Aktuale

Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor po veprojnë në kundërshtim me ligjin

Këshilli Prokurorial që nga shkurti i këtij viti është duke vepruar në kundërshtim me ligjin, pasi që një anëtar i këtij këshilli, Idain Smajli po vazhdon punën përkundër asaj që ka përfunduar mandatin. Kurse, Këshilli Gjyqësor i Kosovës me vendimet e kundërligjshme po cenon rëndë paanshmërinë dhe besueshmërinë e procesit të rekrutimit të gjykatësve.

Kështu u tha në një konferencë për media të organizuar nga Instituti i Drejtësisë për Kosovën, i cili publikojnë një analizë rreth veprimeve të kundërligjshme dhe mungesës së legjitimitetit dhe ligjshmërinë e këtyre dy këshillave, të cilat u tha se po rrezikojnë funksionimin e ligjshëm.

Hulumtuesi i IDK-së, Ehat Miftaraj ka akuzuar anëtarin e Këshillit Prokurorial, Idain Smajli se është duke ushtruar mandatin e tij në mënyrë të kundërligjshme, pasi me ligj është përcaktuar që mandati i tij të zgjasë 5 vite, ndërsa Smajli tani ka gati 6 vite që e ushtron këtë funksion.

 

“Këshilli Prokurorial që nga shkurti i këtij viti është duke vepruar në kundërshtim më ligjin, pasi që një anëtar i këtij këshilli, Idain Smajli është duke e ushtruar këtë mandat edhe për kundër faktit që  me ligj është përcaktuar që mandati këshillit është 5 vite, ndërsa, ky anëtar tani më ka hyrë në vitin e 6 që e ushtron këtë funksion…. Smajli është emëruar në këshill më 15 shkurt të vitit 2011, i cili pastaj me një vendim tjetër të Këshillit Prokurorial gjatë vitit, në dhjetor të vitit 2012, është rizgjedhur anëtar i këshillit në bazë të strukturës së re organizative që kishte hyrë në atë kohë në fuqi ligji për Prokurorinë e Shtetit … Instituti i Kosovës për Drejtësi konsideron se vetë fakti që zoti Smajli ushtron mandatin jashtë asaj që është përcaktuar me ligj edhe pse kanë kaluar 5 vite ndikon drejtpërdrejt në legjitimitetin dhe ligjshmërinë e sistemit të Këshillit Prokuror ial të Kosovës’’, tha Miftaraj. Ndërsa, hulumtuesja tjetër, Diana Berisha është shprehur se zyrtarët brenda sistemit prokurorial për interesa të ngushta dëmtojnë në veçanti imazhin e tërë sistemit prokurorial në Kosovë, dhe po ashtu sundimin e ligjit në përgjithësi. Ajo tha se IKD kërkon që kjo të ndalohet urgjentisht.

 

‘’Një anëtar nuk mund të zgjidhet për një mandat shtesë 5 vjeçar të njëpasnjëshëm, pra, fjala është për anëtarin e Këshillit Prokurorial, Idain Smajli, i cili me një vendim të Këshillit Prokurorial të Kosovës më datë 15 shkurt 2015, ishte zgjedhe anëtar i Këshillit Prokurorial nga radhët e prokurorëve të prokurorive komunale. ..Ne si institut vlerësojmë se ky vendim për vazhdimin e këtij anëtari të KPK-së  nuk duhet të interpretuar si fillim i mandatit të ri nga 1 janari 2013, pra, kur është miratuar ligji mbi Prokurorin e Shtetit por i njëjti duhet interpretuar që nga vazhdimi i mandatit kur kishte filluar Idain Smajli, 15 shkurt 2011. Sipas ligjit anëtari i Këshillit Prokuroiral, Smajli më datë 15 shkurt 2016, i ka përfunduar mandati i anëtarit prej 5 vite. Edhe përkundër këtij fakti ky prokuror vazhdon të ushtroj mandatin e tij në mënyrë të kundërligjshme’’, tha Berisha.

Hulumtuesi tjetër, Valdet Hajdini, ka përmendur edhe një rast të Këshillit Gjyqësor i cili ka shpallur konkurs për gjyqtarë, duke thënë se i vë në pozitë të pabarabartë kandidatët të cilat kanë hyrë në tekst më herët, të cilët shkallën e kalueshmërisë e kanë pasur 45 pikë, me këta të cilët shkallën e kalueshmërisë e kanë 40 pikë.

 

“Ndryshimi i këtyre rregulloreve si dhe zvogëlimi i kritereve gjatë procesit të rekrutimit i vë në pozitë të pabarabartë kandidatët të cilët kanë hyrë në tekst më herët e cilët shkallën e kalueshmërisë e kanë pasur 45 pikë, me këta të cilët e kanë shkallën e kalueshmërisë 40 pikë, e sidomos në rast kur Këshilli Gjyqësor në procesin e emërimit të gjyqtarëve i emëron, i dërgon, i propozon emrat e kandidatëve që kanë kaluar testin  për 40 pikë, atëherë ku po mesin ata me 45 pikë… Vendimi i fundit i datës 28 tetor 2016, bie në kundërshtim me qëllimin dhe veprimtarinë me të cilën është hartuar kjo rregullore e bie gjithashtu në kundërshtim me praktikat dhe standardet ndërkombëtare të cilat përcaktojnë se të gjitha vendimet lidhur me karrierën profesionale të gjykatësve duhet të bazohen në kritere  objektive dhe në kualifikim dhe në integritetin e kandidatëve për gjyqtarë – tha Hajdini.

Hajdini tha se IKD i rekomandon KGJK-së që të ri vlerësoj vendimin e datës 22 tetor 2016, me qëllim të sigurimit dhe garantimit të një procesi transparent,  të bazuar në kritere të qarta dhe objektive, të zbatohet kriteri i meritës dhe sigurisë juridike për të gjithë kandidatët në mënyrë të njëjtë dhe të barabartë./kp