Aktuale

Këto janë afatet kushtetuese për formimin e qeverisë

Konstituimi i djeshëm i Kuvendit të Kosovës i ka hapur rrugë formimit të Qeverisë pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Por mosmarrëveshja politike për ekzekutivin pritët të zvarrit votimin në Kuvend të një prej institucioneve kryesore në vend. Për këtë dy nene të Kushtetutës së Kosovës dhe një vendim i saj japin hapësirë për interpretime të ndryshme.

Në lidhje me afatet kohore për mandatarin për kryeministër, flet për KosovaPress, njohësi i rrethanave politike dhe Kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Sipas Baraliut, neni 95 i Kushtetutës e parasheh që qysh prej momentin kur Albin Kurti mandatohet nga presidenti për kryeministër, rrjedh afati i parë 15 ditësh për formimin e qeverisë. Nëse nuk ka vota për këtë, pason afati tjetër 10 ditësh, e nëse as pas kësaj nuk arrihet, presidenti shpall zgjedhjet e reja brenda 40 ditësh.

Por neni tjetër, ai 85, për Baraliun parasheh që mandatari për kryeministër, prej ditës kur mandatohet ka afat rreth 60 ditë për të formuar qeverinë dhe pas saj, sërish shpallje për zgjedhje të reja.

Krahas këtyre neneve që nuk i lejohet partisë së dytë të ofrojë mandatar, është një vendim i vitin 2014 i Gjykatës Kushtetuese, ku i lejohet partisë së dytë dhe tretë të ofrojnë kandidatin e tyre për kryeministër pas dështimit të partisë së parë.

Në lidhje me ftesën e sotme të presidentit Thaçi për kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, Baraliu duke kërkuar përgjigjen karshi kësaj ftesë konsultative, thotë se nuk ka detyrë më me prioritet të partisë fituese se sa t’i përgjigjet kërkesave dhe obligimeve Kushtetuese.

Njohësi i Kushtetutës, thotë se në Kosovë po rrezikohet një vakum institucional dhe ‘qorr sokak’.

Baraliu u shpreh se Qeveria e pakicës është e dëmshme për Kosovën. Për këtë bëri thirrje që të formohet qeveria nga dy partitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.