Aktuale

Këto janë të gjitha vendimet që mori sot Qeveria në detyrë

Qeveria e Kosovës në detyrë sot ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime. Në mesin e vendimeve është edhe ndarja e 1 milion eurove për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në vërshimet e javës së parë të janarit të këtij viti

Këto janë të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e 59-të të Qeverisë në detyrë:

Qeveria e Republikës së Kosovës, pas shqyrtimit të Udhëzimit Administrativ për Menaxhimin e Mbeturinave të Rrezikshme, të njëjtin e ka miratuar. Ky Udhëzim Administrativ ka për qëllim përcaktimin e rregullave të grumbullimit, ndarjes në lloje, magazinimin, transportimin, trajtimin, deponimin dhe paketimin e mbeturinave të rrezikshme. Udhëzimi përcakton edhe kushtet që duhet t’i plotësojnë objektet për menaxhim të mbeturinave të rrezikshme, ndërmarrjen e masave të mbrojtjes së punëtorëve që menaxhojnë mbeturina të rrezikshme si dhe parandalimin e përdorimit të substancave të rrezikshme dhe krijimit të mbeturinave të rrezikshme.

Miratimin nga Qeveria e ka marr vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për bizneset sipas kritereve të përcaktuara me Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 6.5 milion eurove për subvencionimin e bizneseve aktive dhe të vetë punësuarve.

Gjithashtu ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për kompensimin e dëmeve në komunat e prekura nga vërshimet e ndodhura në javën e parë të janarit të vitit 2021 ka marr miratimin e Qeverisë. Për këtë qëllim janë ndarë 1 milion euro që do të përdoren për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në objektet e banimit si pasojë e vërshimeve të javës së parë të janarit 2021.

Ministria e Pushtetit Lokal do të caktojë kriteret për kompensim dhe do të themelojë komision ndërministror për verifikim, vlerësim dhe koordinim të procesit të ndarjes së mjeteve nëpër komuna. Sipas vendimit, dëmet në infrastrukturë do të mbulohen nga buxhetet komunale ndërsa dëmet në bujqësi do të kompensohen nga buxhetet komunale dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Kabineti qeveritar ka aprovuar edhe vendimin për Planifikimin dhe Zbatimin e Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike Faza II-Masa 4 – Mbështetje Financiare për Projektet dhe iniciativat që synojnë përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe ekonomi. Vendimi obligon Agjencinë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të zbatoj dhe monitoroj këtë plan.

Në fazën e dytë të këtij plani me buxhetin e akorduar në shumë 1 milion euro do të përdoret për mbështetjen e target grupeve siç janë:

· gratë dhe vajzat që zotërojnë bizneset të vogla private, prodhuese apo shërbimesh (gastronomi, pastrim, rrobaqepësi, larje, ngjyrosje e pastrim kimik, prodhime arti dhe artizanale të trashëgimisë kulturore (punime në argjend, veshje, prodhime artistike), lulishtari, etj.

· gratë dhe vajzat të organizuara në forma të biznesit të tilla si kooperativa, B2B (business-to-business) të cilat ndodhen në linjën e parë të zinxhirit te prodhimit dhe furnizimit me lëndë të parë të konsumatorit individual, tregtar dhe/ose atij industrial të prodhimit masiv

· individë fizikë, të cilët ndërmarrin nisma vetëpunësimi prej të cilave punësohen dhe sigurojnë mirëqenien familjare dhe/apo të të ardhurave për përmbushjen e nevojave bazike,

· gra dhe vajza nga grupe të caktuara shoqërore (me aftësi të kufizuara, nëna vetë ushqyese, punëtorë në tregun informal të punësimit, viktima të dhunës në familje apo viktima të dhunës seksuale të luftës, komunitete pakicë roma, ashkali, egjiptian, etj.

Edhe vendimi për zbatimin e masës nr. 16, të për Skemat Pensionale dhe Sociale, të Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike, sipas vendimit Nr. 06/58 të datës 14.01.2021 ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Për këtë qëllim janë ndarë mjete ne shumën prej 21 milion euro. 7.5 milion nga këto mjete do të ndahen për dyfishimin e pagesave për ndihmë sociale ndërsa 13.5 milion për pagesën e shtesës prej 30 euro për skemat pensionale dhe sociale që marrin pagesa deri në 100 euro.

Për të realizuar kompensimin për angazhimin e shtuar në terren të zyrtarëve policor aktiv të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj pandemisë COVID-19, Qeveria nԯ mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 1.6 milion euro.

Ndërsa me një vendim tjetër janë ndarë 8 milion euro për kompensimin e shtesave mujore mbi pagën bazë për personelin aktiv shëndetësor për muajt janar, shkurt dhe mars të vitit 2021. Ndarja e mjete ve do të bëhet sipas kategorizimit:

1. Kategoria I – mjekë, iu ndahet shtesa prej 250 euro në muaj;

2. Kategoria II – infermierë, iu ndahet shtesa prej 150 euro në muaj dhe

3. Kategoria III – stafi mbështetës – teknik, iu ndahet shtesa prej 100 euro në muaj.

Katër vendime janë aprovuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar për transferimin në pozita të zyrtarëve të lartë drejtues.

1. Betim Reçica, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, transferohet në pozitën e kryeshefit në Agjencinë Kosovare të Standardizimit në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë;

2. Arton Berisha, ish-sekretar i përgjithshëm në ish-Ministrinë e Administratës Publike, transferohet në pozitën e drejtorit të përgjithshëm në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike;

3. Kushtrim Cukaj, ish-sekretar i përgjithshëm në ish-Ministrinë e Integrimeve Evropiane, transferohet në pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë; dhe

4. Hajriz Koca, ish-sekretar i përgjithshëm në ish-Ministrinë e Inovacionit, transferohet në pozitën e kryeshefit në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Me dy vendime të veçanta të miratuara nga kabineti qeveritar, ju është vazhduar mandati Ekrem Kastratit ne pozitën e Kryeinspektorit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në kohëzgjatje katër (4) vjeçare dhe Fatos Qerimit mandati i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit gjithashtu në kohëzgjatje prej katër (4) vitesh.