Rajon & Botë

Kina shënon më së shumti raste me Covid-19 që nga janari

Kina raportoi 143 raste të reja me Covid-19 për 24 orët e fundit, 18 më shumë se një ditë më parë, njoftuan autoritetet shëndetësore.

Zyrtarët kinezë thanë se rastet e fundit janë paraqitur kryerisht si pasojë e variantit më ngjitës të koronavirusit, Delta, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Kjo është shifra më e lartë e rasteve në Kinë që nga 20 janari. 108 prej rasteve të reja ishin të përhapura lokalisht, 14 më shumë se një ditë më parë, ndërsa pjesa tjetër ishin udhëtarë të ardhur nga vendet e jashtme.

Shumica e rasteve lokale ishin në provincën lindore, Jiangsu, dhe në provincën qendrore, Henan.

Përpos rasteve me simptoma, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 38 raste pa simptoma, të cilat Kina nuk i fut në grupin e rasteve të konfirmuara.

Që nga fillimi i pandemisë, Kina ka regjistruar 93.969 raste dhe 4.636 viktima. Këto shifra janë shumë të ulëta në krahasim me shtetet tjera të mëdha, shtuar faktin që Kina ka popullsinë më të madhe në botë.