Sport

Klubi i Premierligës insiston për Shaqirin

Xherdan Shaqiri mund të largohet nga Liverpooli gjatë verës. Ylli kosovar ka mundësi ta vazhdojë karrierën në Premierligë, por në ekipin e Newcastlet, i cili po insiston për të

Xherdan Shaqiri pritet ta vazhdojë karrierën në Premierligë, por jo tek Liverpooli.

Për këtë sigurojnë mediat britanike, përcjell Gazeta Express.

Në fakt, interesimin më serioz për futbollistin kosovar e ka shprehur Newcastle United.

Ish-portieri i Tottenhamit dhe Leedsit, Paul Robinson beson se përfaqësuesi zviceran do të përfundojë tek ekipi bardhezi, ku do të mund të luante në vazhdimësi që nga sezoni i ardhshëm.

Robinson shton tutje se 28 vjeçari e ka mundësinë që të jetë pjesë e diçkaje speciale në “St. James’ Park”, shkruan mediumi britanik “Foorball Insider”.

“Shaqiri ka bërë punë të mirë në Liverpool. Ai nuk ka pasur hapësira të mjaftueshme, por ka bërë paraqitje të mira në dy vjetët e fundit”, ka thënë Robinson.

“Do të varet nga ajo se çka do lojtari. Duket se ai do të mundohet ta fitojë titullin e kampionit në Premierligë këtë sezon dhe më pas dëshiron ta mbyllë karrierën duke luajtur javë pas jave. Kjo mundësi mund t’i jepet në Newcastle. Nëse e shfrytëzon këtë mundësi, ai mund të jetë pjesë e diçkaje speciale atje”, përfundoi Robinson.

Ish-futbollisti i Baselit, Bayern Munichut, Interit e Stoke Cityt ka mundësi t’i bashkohet projektit të miliarderëve arabë tek Newcastle, të cilët po mundohen ta ndërtojnë një super-ekip për sezonet e ardhshëm.

Shaqiri ndërkohë pëlqehet edhe nga Galatasaray në Turqi, klub i cili po e vëzhgon tash e një kohë.

Futbollisti nga Zhegra e Gjilanit nuk po gjen hapësira të mjaftueshme në “Anfield Road” dhe trajneri Jurgen Klopp e ka dhënë dritën e gjelbër për largimin e tij. /Gazeta Express/