Sport

Klubi spanjoll përgatit ofertë të re për Xherdan Shaqirin

Sevilla është duke e përgatitur një ofertë të re për blerjen e yllit shqiptar të Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, në afatin kalimtar të verës. Anësori me prejardhje nga Gjilani i Kosovës pritet të largohet nga kampioni i Evropës në fund të këtij sezoni.

Përfaqësuesi i Kombëtares së Zvicrës Shaqiri i ka luajtur vetëm dy minuta futboll në vitin 2020, dhe largimi i tij nga Anfield para fillimit të sezonit të ri 2020/21 duket mese i sigurt, raporton Gazeta Express.

Sevilla kishte shprehur interesim për transferimin e 28-vjeçarit edhe në afatin e fundit kalimtar, në janar, por thuhet se çmimi prej 30 milionë eurove i kërkuar nga të kuqtë në atë kohë e kishin bërë klubin nga La Liga të tërhiqej.

Megjithatë, sipas gazetës zvicerane Blick, drejtori sportiv i Sevillës, Monchi, është duke e përgatitur një ofertë të re për Shaqirin.

Liverpooli pritet ta ulë çmimin e Shaqirit deri në 15 milionë euro, duke e parë krizën e shkaktuar në futboll nga pandemia koronavirus.

Por Sevilla nuk është klubi i vetëm i interesuar për shqiptarin, pasi aty janë edhe Roma dhe CSKA Moscow, të cilat janë duke e vëzhguar gjendjen e ish-yllit të Bayern Munich dhe Inter.

the authorGazetaKNN