Aktuale

KMDLNj evidenton disa mangësi në Institutin Special në Shtime

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut njofton se ka vizituar Institutin Special në Shtime për të monitorimin e të drejtave të njeriut të personave me aftësi të kufizuara psiko-fizike .

Sipas KMDLNJ-së gjendja aktuale në Institutin Special në Shtime është përmirësuar dukshëm falë renovimeve të bëra në objektet e këtij Instituti.

“Pastërtia është në nivel dhe monitoruesit kanë vlerësuar sjelljen e stafit ndaj klientëve si pozitive. Monitoruesit kanë vlerësuar lart edhe ndarjen në kategori të klientëve dhe rregullimin e hapësirave për zhvillimin e aktiviteteve apo terapisë okupuese. Klientët në Institutin Special në Shtime kanë mundësi për të realizuar një numër të aktiviteteve të lira si rrobaqepësi, punime druri, punë dore (tapiseri), vizatime, shkrime (për ata që duan)”, thuhet në një komunikatë për media.

KMDLNJ e vlerëson lart marrëveshjen që Instituti ka realizuar me  disa Universitete që studentët e tyre të kryejnë praktikën profesionale në këtë Institut.

KMDLNJ gjatë këtij monitorimi ka gjetur edhe disa mangësi , mungesa e veshmbathjeve që dëmtohen lehtë nga klientët, mungesa e orendive, sirtarë për rroba, karrige etj. për të cilat u pajtuan që të lobojnë më shumë tek institucionet përkatëse por edhe tek donatorë të mundshëm.

KMDLNj po ashtu  vlerëson se shërbimi shëndetësor brenda këtij institucioni duhet të plotësohet me profesionistë të fushave përkatëse.

Po ashtu KMDLNj u bën ftesë të gjithë të interesuarve që kanë mundësi për të kontribuar për këtë pjesë të shoqërisë e cila është mjaft e ndjeshme, kontributi do të kishte vlerë më të madhe sidomos tani kur po afrohen festat e fundvitit.