Aktuale

KMDLNJ kundër shkurtimit të afatit për verifikimin e viktimave të dhunës seksuale

KMDLNJ përmes një komunikate për media e quan të papranueshme kërkesën e ministrit të Financave, Bedri Hamza për shkurtim të afatit për verifikimin e viktimave të dhunës seksuale nga 5 vjet në 5 muaj, pasi që një gjë e tillë dëmton direkt viktimat e dhunës seksuale.

Duke marrë parasysh faktin se për verifikimin e drejtë të këtij procesi duhen vite të tëra dhe nëse flitet për një numër hipotetik rreth 20.000 viktima të dhunës seksuale, koha prej 5 muajve nuk mjafton për evidentimin e shënimeve elementare personale e lëre më të përfundojë procesi i verifikimit, thuhet në reagim.

KMDLNJ konsideron se kjo është bërë nga zyrtarë që nuk kanë njohuri elementare për procesin e verifikimit ose është bërë me qëllim që të drejtat që iu takojnë me ligj viktimave të dhunës seksuale t’i gëzojnë vetëm një numër i vogël i tyre që do të verifikoheshin brenda afatit pesë mujorë dhe tjerët do të mbeten jashtë listës.

KMDLNJ përkrah shoqatat që merren me viktimat e dhunës seksuale, pasi kërkesa për shkurtimin e afatit është diskriminues dhe paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

“Nëse kjo kërkesë pranohet, atëherë shumë viktima të dhunës seksuale do të mbeten të pa trajtuara, të pambrojtura dhe të nëpërkëmbura nga shteti, detyrim i të cilit është që këto viktima të trajtohen sipas ligjit”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

the authorSamir Dalipi