Arsim & Kulturë

Kolegji AAB nderoi poetin rumun Ion Deaconescu me Çmimin Profesor Nderi

Me një ceremoni solemne ku morën pjesë studentë, profesorë e dashamirë të fjalës së shkruar, Kolegji AAB ka nderuar me Çmimin Profesor Nderi, shkrimtarin e njohur rumun Ion Deaconescu.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari i KD të Kolegjit AAB, Lulzim Tafa tha se Ion Deaconescu, është ndër personalitetet kryesore të jetës kulturore të Rumanisë. “Një autoritet letrar i pakontestueshëm. Përveç kësaj, Deaconescu është mik i madh i Kosovës dhe promovues edhe i letërsisë shqipe në Rumani. Ka luajtur dhe po luan rol të rëndësishëm në miqësinë mes Kosovës dhe Rumanisë”, tha Tafa.

Ndërsa rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha tha se ky çmim i ndahet poetit e shkrimtarit rumun Ion Deaconescu, për kontributin e tij në arsimimin e brezave të tërë, për artin e madh që ua ka dhuruar lexuesve anekënd botës dhe për promovimin mes miqësisë së Kosovës dhe Rumanisë.

Shkrimtari dhe poeti rumun Ion Deaconescu, u shpreh i nderuar me çmimin dhe promovimin e romanit të tij. “Është kënaqësi e veçantë të jem sot në një nga universitetet më të mira në Ballkan por ndoshta edhe më gjerë. Me pranimin e këtij çmimi, nuk di se si të ndjehem ndryshe, përveçse mirë. Ju keni vendosur ta nderoni punën time në forcimin e miqësisë mes popujve, dhe kjo është diçka fantastike nga ana juaj”, tha Deaconescu.

Në këtë ceremoni u bë edhe promovimi i romanit “Zogu jam unë” i botuar në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese “Bogdani”. Me këtë rast për librin folën botuesi Jeton Kelmendi dhe prorektorja e Kolegjit AAB, Venera Llunji, të cilët vlerësuan lart këtë vepër letrare. I ndarë në 29 nëntituj, romani “Zogu jam unë”, flet në veçanti për jetën dhe veprën e skulptorit rumun, Constantin Brancusi.