Arsim & Kulturë

Kolegji AAB nisi vitin akademik 2020/21, me një varg masash të ndërmarra Anti-COVID-19

Ndonëse në rrethana krejtësisht të tjera, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në Kolegjin AAB, institucionin më të madh jopublik në rajon, sot filloi viti i ri akademik 2020/21.

AAB, tradicionalisht ka filluar ligjëratat me 01 tetor, andaj kjo datë pavarësisht realitetit të ri të krijuar edhe këtë vit mbetet dita e nisjes së edhe të një viti akademik për studentët dhe stafin e tij.

Në një adresim të Rektorit të Kolegjit AAB, Bujar Demjaha, për studentët dhe stafin akademik, ai kërkoi përkushtim dhe syçelësi nga secili në këtë “normalitet të ri”: “Ne si institucion, e kemi bërë maksimumin që t’ u përgjigjemi kërkesave tuaja që studimet t’ i kthehen normalitetit. Tani pritet nga ju korrektësi, përkushtim dhe syçelësi shumë më e madhe, në mënyrë që të mos i kthehemi sërish studimeve me sistemin online”, ka thënë Demjaha.

Rektori Demjaha uroi studentët dhe stafin akademik për këtë fillimvit akademik, duke rikujtuar secilin me udhëzimet kryesore: mbajtjen e maskave, mbajtjen e distancës nëpër korridore dhe respektimin e udhëzimeve për uljen në salla të mësimit, duke u ulur vetëm në vendet e shënuara!

AAB është përkujdesur të ndërmarrë të gjitha masat e duhura, që në përputhje me rekomandimet e institucioneve përgjegjëse si IKShPK dhe MSh për mbrojtje nga koronavirusi, të nisë një vit para së gjithash të sigurt për të gjithë komunitetin e AAB-së. Në kuadër të përgatitjeve, AAB ka krijuar edhe një Task-Forcë e cila është marrë me caktimin e udhëzimeve dhe zbatimin e tyre, ndërsa në bashkëpunim me menaxhmentin kanë krijuar kushtet e përshtatshme që studentët të jenë të mbrojtur edhe gjatë procesit të mësimit.

Viti akademik sot ka filluar për studentët e viteve të dyta, të treta dhe të katërta, ndërkohë që regjistrimi për studentët e rinj po vazhdon edhe më tej, dhe të gjithë maturantët e interesuar mund të paraqiten në Kolegjin AAB për t’ u bërë pjesë e studimeve.

Ndërkohë, shërbimet administrative të Kolegjit AAB do të jenë në funksion të informimit të saktë dhe në kohë të secilit student të ri, në lidhje me fillimin e ligjëratave.

Të gjithë studentëve dhe stafit të Kolegjit AAB, edhe njëherë gëzuar dhe urime këtë vit të ri akademik, duke uruar të jemi të shëndetshëm dhe të kemi suksese në studime!