Arsim & Kulturë

Kolegji AAB shënon Ditën Ndërkombëtare të Familjes

Në vrazhdën e diskutimeve online, Kolegji AAB shënoi Ditën Ndërkombëtare të Familjes.

Asambleja e Pergjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1994 shpalli 15 majin si Ditën Ndërkombëtare të Familjes. Familja e shëndoshë është gjeneratori kryesor i një shoqërie të shëndoshë. Familja është faktori kryesor i një ecurie normale të një shteti. E vlerat e familjes dolën në pah dhe më shumë gjatë kësaj periudhe izolimi.

Të ftuar në këtë diskutim ishin: Prof. ass. dr. Fatmir Qollakaj nga Fakulteti Juridik, Prof. ass. dr. Tahir Latifi nga Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Prof. ass. dr. Mimoza Shahini nga Fakulteti i Psikologjisë.

Gjatë këtij diskutimi u vlerësuan lartë vlerat e familjes, veçanërisht të familjes shqiptare, si dhe ndryshimi që ka ndodhur ndër vite duke kaluar nga tradicionalja në atë moderne.

Qollakaj tha se familja mbetet themeli i një shoqërie, pavarësisht ndryshime ndër vite. “Kushtet ekonomiko-sociale kanë luajtur rol të rëndësishëm në ndryshimet që kanë ndodhur në familje, si dhe aspekti juridik ka ndikuar në mënyrën e organizimit të jetesës”. Po ashtu ai tha se sa i përket barazisë gjinore është arritur shumë në shoqërinë kosovare.

Latifi tha se në dy dekadat e fundit tek ne familja ka pësuar ndryshime të mëdha. “Përfundimi i luftës në Kosovë ka ndryshuar ndarjen e thellë që ka qenë në mes burrave dhe grave, duke shkuar drejtë barazisë, ndonëse dallimet vazhdojnë të egzistojnë.”

Shahini shtoi se koha me përballjes me Pandeminë Covid-19 ka ndikuar që familjarët të kenë më shumë kohë për njëri-tjetrin. Sa i përket jetesës në bashkësi që ka qenë karakteristikë e familjeve shqiptare në të kaluarën dhe vazhdon të jetë në një pjesë të shoqërisë edhe sot, Shahini tha se jetese në bashkësi ka qenë vlerë që e ka karakterizuar familjen shqiptare, “Vlera e të qëndruarit bashkë, ka qenë vlerë e mbijetesës, duke mbështetur njëri-tjetrin. Kjo është vlera më e madhe që ka familja shqiptare”.

Si përfundim të ftuarit kërkuan nga studentët e Kolegjit AAB, që gjatë kësaj kohe t’i përkushtohen vetes dhe familjes, si dhe të vazhdojnë me ndjekjen e ligjeratave online. /GazetaKNN/

 

the authorGazetaKNN