Sport

Kombëtarja shqiptare merr një lajm të mirë pas pjesëmarrjes në “Euro 2016”

Pas paraqitjes mbresëlënëse në finalet e Kampionatit Europian, rritet vlera e Kombëtares shqiptare në tregun e transferimeve.

Sipas faqes së specializuar “Transfermarkt”, tashmë kuqezinjtë vlejnë 46,15 milionë euro. Një rritje me afro 15 për qind të vlerës së përgjithshme të skuadrës, që në startin e Euro 2016 vlerësohej 40,88 milionë euro, me Shqipërinë që pozicionohej e 22-ta në renditjen speciale të 24 skuadrave pjesëmarrëse në evenimentin kontinental, duke lënë pas vetëm Irlandën e Veriut dhe Hungarinë.

Lojtari që kushton më tepër nga kuqezinjtë mbetet Elseid Hysaj, me kartonin e shkodranit që përbën gjysmën e vlerës së rritur prej 6 milionë eurosh. Përpara Europianit, mbrojtësi i Napolit vlerësohej 9 milionë euro, ndërsa tashmë çmimi i tij ka shkruar në plot 12 milionë euro, shkruan Super Sport.

Rritje kanë edhe vlera e Abrashit, që tashmë kushton 2,5 milionë euro, ndërsa çmimi i Ledian Memushajt është dyfishuar, me mesfushorin vlonjat që vlerësohet 2 milionë euro në merkato. Rritje të çmimit të kartonit ka edhe për Mërgim Mavrajn, 1,75 milionë euro, Arlind Ajetin që vlerësohet 1,5 milionë, Ermir Lenjanin 1,25 milionë dhe Sokol Cikalleshin 2,8 milionë euro.

E pandryshuar vlera e Etrit Berishës dhe Taulant Xhakës që kushtojnë 4 milionë euro, ndërsa rënie të çmimit ka vetëm për portierin 38-vjeçar Orges Shehi dhe Odise Roshin, me çmimin e mesfushorit të Rijekës që ka zbritur në 350 mijë euro.

Pas paraqitjeve të mira në Francë, të vlerësuara nga i gjithë opinioni në kontinent, vlera e 23 kuqezinjve pritet që të vazhdojnë rritjen, edhe sepse merkato e verës sapo ka nisur dhe interesimi për futbollistët e Kombëtares ka qenë i jashtëzakonshëm.