Aktuale

Komuna e Prishtinës: Gjendja nëpër rrugë është e mirë

Komuna e Prishtinë njofton publikun se ​aktualisht rrugët nëpër kryeqytet janë të kalueshme, si për vetura ashtu edhe për autobusë dhe për mjetet e tjera.

Nëpërmjet një komunikate për media komuna lutë të gjithë që të kenë parasysh që në këtë mot të vështirë dhe me temperatura tepër të ulëta duhet të kenë shumë më shumë kujdes në komunikacion.

“Në këto temperatura as hedhja e kripës nuk ka kurrfarë efekti. Prandaj iu bëjmë thirrje edhe njëherë qytetarëve që të mos ngasin makinat e tyre pa pajisjet adekuate dimërore, sepse në mungesë të pajisjeve të tilla mund të shkaktohen edhe rreziqe dhe vonesa në komunikacion”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit tetë kompani po veprojnë gjatë gjithë kohës për pastrimin e rrugëve, 6 prej të cilave në qytet dhe 2 të tjera në fshatra.

“Angazhimi është maksimal, përkundër reshjeve të vazhdueshme të borës. Si rezultat i këtij angazhimi, është evidente që gjendja e rrugëve në Prishtinë është dukshëm më e mirë sesa nëpër magjistrale dhe në komuna të tjera”, thuhet në njoftimin nga komuna e Prishtinës.