Aktuale

Konfiskohen disa armë, katër të arrestuar

Policia e Kosovës sot ka arrestuar katër persona në lokacione të ndryshme të rajonit të Prishtinës dhe ka konfiskuar një armë AK47, 54 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një pushkë gjuetie, pajisje të ndryshme për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, pasaporta, leje-qëndrime, patentë shofer, libreza të qarkullimit të veturave, diploma të ndryshme bllanko.

Arrestimet e sotme ndërlidhen me hetimet e mëhershme të Policisë së Kosovës lidhur me veprat kontrabandim me migrantë, mbajtje në pronësi të paautorizuar e armës, falsifikim i dokumenteve.

Në lidhje me këtë janë hetuar tetë persona të dyshuar meshkuj shqiptarë, ku pesë prej të cilëve janë të njohur për organet e drejtësisë si persona me të kaluar kriminale. Të dyshuarit I.M., S.M., S.M., E.M., B.B. nga Podujeva, G.B. dhe S.RR. nga Peja dhe L.Sh. nga Prishtina, dyshohet se kanë organizuar dhe kontrabanduar qytetarë nga Kosova për në shtete të ndryshme të BE-së.

Të dyshuarit në këmbim të kësaj veprimtarie dyshohet se kanë përfituar kundërligjshëm sasi të mëdha të të hollave.

Katër personat e arrestuar sot, pas intervistimit të tyre me urdhër të prokurorit të rastit të Prokurorisë Themelore – Prishtinë janë liruar në procedurë të rregullt, përderisa dy të dyshuar tjerë janë ende në kërkim.