Kuriozitete

Konsumatori i Starbucks parandalon vjedhjen

Cregg Berry, 58 vjeçar, po pinte kafen në një kafene të Starbucks, kur një person me maskë kishte hyrë dhe kishte kërcënuar me armë të ftoftë punonjësit në mënyrë që këta të fundit t’i jepnin atij paratë e arkës.

Në videon e cila tashmë po qarkullon në rrjetet sociale, Berry shihet se si e sulmon me një karrige të metaltë të dyshuarin Ryan Florez, i cili kishte hyrë të vidhte paratë e arkës.

Berry heroikisht parandalon vjedhjen, por gjatë sulmit ai dhe po ashtu edhe i dyshuari kanë pësuar lëndime të lehta nga arma e Florez.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari Florez kishte arritur të arratisej nga kafeneja, por kalimtarët e rastit e kishin parë me plagë dhe kishin njoftuar policinë. Florez iu kishte thënë autoriteteve se kishte qenë viktimë e një tentative për vjedhje, por pastaj ishte marrë në stacion.

Shefi i Policisë ka bërë të ditur se heroi Cregg Berry ishte dërguar në spital, mirëpo nuk kishte lëndime serioze dhe ishte mirë. Ndërsa Ryan Florez është dërguar në spital për të mjekuar plagët dhe pastaj është arrestuar për tentim vjedhje dhe sulm me armë të ftoftë, dhe do të transportohet në burgun e Fresno County, bënë të ditur Mirror.