Opinione

Konvertimet

Lulzim Tafa

Nganjëherë më duket se i kam 100 vjet (edhe pse këto që i kam nuk janë pak). Mbaj mend shumë. Si fëmijë shkruaja poezi, shkoja në orë letrare, lexoja dhe dëgjoja kur kolegët shkrimtarë lexonin me përkushtim vargjet e tyre në frymën poetike, por edhe politike të kohës.

“Këtë poezi ia kushtoj gjyshit tim partizan”,thoshte njëri nga ne, para se të fillonte të lexonte poezinë. Por kur ra ky “shoku” (komunizmi) në vitin 1990, i njëjti shkrimtar-poet, të njëjtën poezi e lexoi përsëri, veçse tani ia kishte ndryshuar pak përkushtimin – para se të fillonte të lexonte ai tha: “këtë poezi ia kushtoj gjyshit tim ballist”.

Mosha që kisha në vitin 1990, nuk më lejonte ta kisha të qartë pse kolegu ynë atë kohë nuk kishte qenë i mençur e të formulonte përkushtimin e tij, ta zëmë, këtë poezi ia kushtoj gjyshit tim luftëtar, pasi që edhe partizanët edhe ballistët ishin luftëtar.

Atëbotë mosha nuk ma mundësonte ta dija ndryshimin e përkushtimit të tij edhe pse tani e kam shumë të qartë konvertimin.

Fund e krye poezia ishte e njëjtë, as një pikë, asnjë presje nuk kishte ndryshuar, kishte ndryshuar vetëm përkushtimi, përkushtim i cili më bënte të mendoja aq shumë.

Çfarë t’i them kolegut shkrimtar as sot nuk e di. Ndoshta do të kishte qenë mirë që atë poezi ta shndërroja në parodi, sepse tani është kohë e mirë kur mund ta shndërroj në parodi. Po më shkon mendja, që këtë ta bëj unë, pasi që di shumë poezi përmendësh, besoj që e di edhe atë poezi, patjetër.

Ndoshta edhe nuk po tregohem mirënjohës ndaj kolegut tim shkrimtar, sepse ai na frymëzonte me idetë dhe moralin e lartë të sistemit socialist dhe diktaturës së proletariatit, vegjëlisë dhe klasës punëtore, kurse tani (po i njëjti) pa përtesë po na frymëzon me luftën e fundit, sakrificën e popullit tonë dhe vuajtjet tona ndër shekuj!
E di që është mosmirënjohje, sepse, fundi i fundit, ai as atëherë as sot nuk e ka pasur me borxh, që neve të na mbajë të frymëzuar me moralin e kohës.

Unë për veten time i jam mirënjohës për jetë e mot.

Rrëfimi i dytë

Menjëherë pas luftës, sapo dola në Prishtinë për t’i takuar shokët (besa edhe për t’i numëruar, sepse lufta disa i kishte dërguar në amshim), u takova me një intelektual të rangut të lartë apo apo HD (edhe pse ky term atëbotë ishte i panjohur).

Mënyra e rrëfimit të tij për luftën, edhe pse nuk kishte qenë në Kosovë fare, ishte rrëqethëse. Atij i ishte bërë dëm i madh, i kishin hyrë armiqtë në banesë, dhe për veç derës së hyrjes së cilës ia kishin thyer dorezën, atij ia kishin marrë komplet servisin e gotave, që ai e kishte blerë në Itali.

Mënyra e trishtueshme e rrëfimit të tij dhe përshkrimi që ai u bënte momenteve të hyrjes në banesë, dhe konstatimit se armiqtë i kishin vjedhur gotat ishte prekëse. Duhej të ishe tepër i pashpirt për të mos u ligështuar!

Natën po të më dalë gjumi trishtohem!

I harrova vuajtjet e mija, dhe tërë atë që kisha parë dhe përjetuar në luftë.
Thashë – o Zot lehtësoja këtij njeriu këtë dhimbje të madhe që ka në shpirt dhe bëje që t’i harrojë sa më parë këto vuajtje dhe pasojat e luftës!

Por, fjalë për ta ngushëlluar nuk gjeta, nuk munda as t’i them se armiku godet aty ku dhemb, duke ia falur gjithë solidarizimin tim dëmit të tij.

Rrëfimi i tretë, Luftëtari që ishte me mua

Edhe pse ishte gjatë gjithë kohës me ne, në ikje dhe në fshehje prej një fshati në tjetrin, deri sa më në fund u çliruam, ai kishte qenë luftëtar, por ne nuk e kishim ditur.

Shiko!, më tha, unë kam qenë Luftëtar, por t’i nuk ke faj që s’e di, sepse nuk e di askush, nuk është e thënë që ta dinë të gjithë që kam qenë luftëtar- tha!
E vërtetë është – i thashë, nuk është e thënë që ta dinë të gjithë!

Nga ai moment e mata kontributin tim për atdhe. Rezultati më doli zero.