Sport

Koronavirusi rrezikon futbollin, FFK-ja shpreson në ndihmë nga UEFA

‘Karantina financiare’ ka qenë dhe vazhdon të jetë e pranishme në futbollin e Kosovës. Problemet financiare janë ndër problemet e shumta me të cilët janë hasur klubet tona që moti, derisa kjo krizë globale duket se do të ketë pasoja edhe te klubet kosovare

Edhe para pandemisë COVID-19 e njohur ndryshe si koronavirus, klubet kosovare të futbollit kanë hasur në vështirësi të shumta financiare, raporton Zëri.info.

Drejtuesit i financojnë klubet e tyre përmes bizneseve tyre që i kanë brenda dhe jashtë vendit.

Por për shkak të kësaj pandemie që ka pushtuar globin, janë pezulluar të gjitha aktivitetet, të cilat priten të shkaktojnë krizë financiare te klubet kosovare.

I pari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, trajneri dhe donatori i Llapit, Tahir Batatina dhe presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi veçse kanë nisur të shqetësohen për këtë situatë.

Ejupi, Batatina, Kabashi dhe të tjerët janë të vetëdijshëm se pezullimi i bizneseve të tyre mund të dërgojë në një situatë, nga e cila mund të dëmtohet edhe futbolli.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në krye me ministren në detyrë, Vlora Dumoshi ka ndarë pesë milionë euro për këta tre sektorë, ku 270 mijë euro do t’i takojnë futbollit në përputhje me rregulloren e kategorizimit të sporteve për vitin 2020.

Përveç kësaj ‘pako emergjente’ nga MKRS-ja, i pari i futbollit të Kosovës, Agim Ademi shpreson edhe në mbështetje nga UEFA dhe FIFA, teksa ka shprehur falënderim për MKRS-në.

“E falënderojmë MKRS-në për ndarjet e mjeteve, dhe ne do t’i alokojmë sipas rregullores. Ende nuk i kemi marrë mjetet. Sa i përket kësaj situate emergjente nga koronavirusi, ne do të kërkojmë ndihmë edhe nga UEFA dhe FIFA”, ka thënë Ademi.

Zëri.info ka kontaktuar edhe me shtëpinë më të madhe të futbollit evropian, UEFA, në lidhje me mundësinë e mbështetjes së kësaj organizate për mbështetjen e klubeve kosovare në këtë kohë pandemie.

Zyra për media e UEFA-s ka bërë me dije se do të zhvillohen disa grupe punuese për ta vëzhguar situatën.

Njëri prej grupeve punuese që do të krijohet do të jetë i përbërë nga përfaqësueses të UEFA-s, kampionateve dhe klubeve për të vlerësuar ndikimin ekonomik, financiar dhe rregullator që ka shkaktuar COVID-19.

Ky grup pritet të propozojë masa për të ndihmuar në zbutjen e pasojave të pandemisë.

Ndërsa, grupi tjetër punues është i përbërë me përfaqësues të njejtë, të cilët ekzaminojnë çështjet e kalendarit të ndeshjeve dhe datat eventuale të rifillimit ose përfundimit të edicionit aktual në mënyrë koherente.

the authorGazetaKNN