Ekonomi

Kosova ende pa buxhet të miratuar, rrezikohet ndalja e pagesave

Buxheti për këtë vit ende nuk është miratuar, teksa pas kërkesës së ministrit të Financave dhe të Transfereve Besnik Bislimit deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar që ndarja buxhetore për vitin 2020 të zgjatet edhe për muajin mars.

Në rast se buxheti nuk votohet deri në këtë datë pagesat do të ndalen.

Në ndërkohë, nga ky dikaster u konfirmua që buxheti është në fazën e harmonizimit, shkruan gazeta “Zëri”.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin ende nuk kanë arritur ta përfundojë hartimin e projektbuxhetit për vitin 2020. Ndonëse me kërkesë të ministrit të Financave dhe të Transfereve Besnik Bislimit, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar që ndarja buxhetore për vitin 2020 të zgjatet edhe për muajin mars.

Në rast që buxheti nuk arrin të finalizohet deri më datën 31 të këtij muaji ka rrezik të ndalen të gjitha pagesat në vend.

Në ndërkohë, nga Ministria e Financave dhe e Transfereve është bërë e ditur që projektbuxheti për vitin 2020 është në harmonizim e sipër.

Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, deri më tani Qeveria nuk është vonuar në miratimin e buxhetit, por procedurat duhet të vazhdojnë tashmë për të arritur miratimin në kohën e duhur.

Kosova pati hyrë në vitin 2020 pa buxhet të miratuar, për shkak se në kohën kur ishte dashur të miratohet Kosova nuk e kishte zgjedhur qeverinë e re, e cila kishte dalë nga zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

the authorGazetaKNN