Ekonomi

Kosova ka siguruar vetëm 50 përqind të nevojave për bukë

Kosova vazhdon të mos ketë prodhimtari të mjaftueshme të grurit edhe në këtë vit, por në të njëjtën kohë vazhdon të jetë importues i madh i këtij artikulli nga Serbia. Ndër arsyet e rënies së prodhimtarisë së grurit në vazhdimësi është dekurajimi i fermerëve për çmimin e ulët të grurit dhe mungesa e nxitjes së masave stimuluese nga shteti.

Kështu mendojnë ekspert të bujqësisë, të cilët rekomandojnë Ministrinë e Bujqësisë se fermerët duhet stimuluar krahas produktivitetit të punës dhe të ndryshojë metodologjia e subvencionimit. Ndonëse, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë thonë se për subvencionim e produktivitetit nuk ka mekanizma të mjaftueshëm.

Profesori në fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci për KosovaPress thotë se sipërfaqet kultivuese me grurë në këtë vit kanë qenë më të ulëta në raport me vitin e kaluar, por edhe mesatarja e prodhimtarisë nuk është e kënaqshme në raport me potencialet prodhuese që kanë kultivuesit e grurit.

Ai tha se në nivel vendi është realizuar një mesatare prodhuese e grurit 3.5 deri 4 tonë për hektarë, varësisht nga lokaliteti ose nga zona prodhuese.

Rusinovci bëri me dije se metodologjia e masave stimuluese për fermerët duhet të ndryshojë dhe të ketë kritere për produktivitetin e punës. Andaj, sipas tij, fermerët nuk duhet të jenë të de-motivuar dhe të dekurajuar, përkundrazi ata duhet të nxiten mes masave stimuluese që Kosova të siguron një prodhimtari të mjaftueshme vendore.

“Arsyet e një prodhimtarie jo të kënaqshme përkatësisht jo të mjaftueshme janë të shumta, por parasë gjithash kemi të bëjmë me një dekurajim të fermerëve, të cilët nuk kanë qenë aq sa duhet të stimuluar për produktivitetin e punës që e kanë realizuar. Unë mendojë se pavarësisht se Qeveria e Kosovës ka filluar me masat subvencionuese ose stimuluese për grurë, që është një artikull strategjik, konsideroj se metodologjia e punës ka qenë dhe është e gabuar, sepse po e marrin kriter sipërfaqen kultivuese e jo produktivitetin e punës. Andaj, i rekomandoj të njëjtës (Qeverisë) që fermerët t’i stimulojë krahas produktivitetit të punës”, theksoi Rusinovci.

Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Bujqësisë duhet ta ketë në prioritet ndër prioritete sektorin e grurit, sepse ka të bëjë me sigurimin e artikullit bazë gjegjësisht sigurimin e bukës dhe këto potenciale prodhuese, këto kondita agroekologjike që i ka Kosova përkojnë me një prodhimtari dukshëm më të lartë në raport me këtë të gjendjes ekzistuese.

Ai mendon se mbi 50 përqind të sasisë së përgjithshme të nevojave ushqyese sërish edhe këtë vit do të importohen kryesisht nga Serbia.

“Edhe në këtë vit do të kemi invazion të madh të importit të grurit nga vendet e rajonit në përgjithësi ose në veçanti nga Serbia, do të importojmë prapë kontingjente të mëdha të grurit. Me këtë prodhimtari që kemi realizuar dhe këtë produktivitet të ulët të punës në shkallë vendore, mendoj se gjysma e sasisë së nevojshme të ushqimit të drejtpërdrejtë do të jetë prapë e varur nga importi”, theksoi profesori Rusinovci.

Duke treguar se zyrtarisht ka përfunduar fushata korre-shirjeve në Kosovë, Isuf Cikaqi, drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrin e Bujqësisë ka thënë për KosovaPress se edhe pse nuk ka ende raport final për të dhënat e korre-shirjeve, Kosova këtë vit ka pasur sipërfaqe me grurë rreth 70 mijë hektarë, ose 14 mijë hektarë më pak se në vitin e kaluar. Po ashtu sipas tij, edhe rendimenti është më i ulët se në vitin e kaluar. Cikaqi tha se rendimentet sivjet ishin prej 3500-4000 kilogram për hektarë me një cilësi të mirë.

“Duke u bazuar në këto të dhëna që i kemi preliminare e që mund të jenë me lëvizje të vogla në raport me rezultatet publikimin përfundimtare shihet se ka pasur sipërfaqe më pak me grurë në raport me vitin e kaluar, diku për 14 mijë hektarë. Dhe rendimenti do të jetë pak më i vogël në raport me vitin e kaluar dhe kjo nënkupton se edhe sasia e përgjithshme e grurit e cila grumbullohet do të jetë më e ulët në raport me vitin e kaluar. Si nevojë për vendin tonë, i bie që rreth 410 mijë tonë grurë i nevojiten në Kosovë. Nga ky 410 mijë tonë që është i nevojshëm, sivjet më këtë 70 mijë hektarë sipërfaqe dhe me një rendiment rreth 4 tonë për hektarë i bie që në Kosovë prodhohen në sasi të përgjithshme rreth 280 mijë tonë, kurse pjesa tjetër duhet me u siguruar përmes importit”, theksoi Cikaqi.

Ai ka arsyetuar se rënia e sipërfaqeve dhe sasisë së grurit është si pasojë e çmimit të ulët të grurit, ku për këtë Ministria nuk ka autoritet të ndërhyjë. Mirëpo, ai tha se prioritet më të madh Qeveria përkatësisht ministria e Bujqësisë ka për mbështetje financiare kulturën e grurit.

“Në vitin e kaluar kur kemi bashkëbiseduar me palët me interes, kemi diskutuar edhe mundësinë e ndërrimit të formës të mbështetëse së kësaj kulture bujqësore. Propozimi i nga shoqata ka ardhur për ndryshim, sepse është me interes të ndërrohet kjo politikë dhe të shkohet me mbështetje për sasinë e prodhuar. Ne së bashku me palët me interes kur t’i hartojmë politikat mbështetëse për vitin tjetër, jemi shumë të interesuar që të gjithë së bashku të dakordohemi për mënyrën më të mirë, por çdo herë duke menduar edhe te faza e implementimit, sepse si ide munden me qenë shumë të mira, por duke u bazuar në kapacitetet që i k MBPZHR, logjistike dhe humane dhe sistemet e monitorimit që i ka në disa raste shihet se është e pa mundur të monitorohet ajo formë për shkak të mungesës së këtyre”, theksoi ai.

Cikaqi ka shtuar se po qesë do të kishte kushte të favorshme për monitorim, gjithsesi se do ishte më e dobishme mënyra e ndërrimit të mbështetës së fermerëve të grurit për rritjen e produktivitetit

the authorE B