Aktuale

Kosova nuk ia kthen fjalën Amerikës, 100 për qindëshi pezullohet javën tjetër

Po bëhen gati dy muaj që kur Kosova i vendosi taksë 100 për qind produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Nga atëherë është bërë presion i vazhdueshëm ndaj Kosovës ta heq taksën dhe tani kur po kërkon Amerika, Kosova po e aprovon.

Burimet e lajmi.net brenda Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur që taksa 100 për qind diskutohet nesër në mbledhje e rregullt të Qeverisë.

“Amerika kanë kërkuar me u pezullu taksa, nuk mundemi me i qëndru kundër. Qeveria e Kosovës nesër mban mbledhje të rregullt, në mbledhje mundet të diskutohet heqja e taksë. Kryeministri do ta propozojë këtë, deri më tani kjo po flitet, por nuk ka diçka konkrete ende”, ka thënë ky burim për lajmi.net.

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se kryeparlamentari Kadri Veseli do t’i takojë në zyrën e tij ambasadorin amerikan, Philip Kosnett dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, për të diskutuar lidhur me taksën. Takimi, siç ka thënë ai, do të mbahet javën tjetër.

“Ajo çfarë është e rëndësishme tani ka të bëjë me vlerësimin nëse kjo taksë ka ndikim në politikën amerikane në Kosovë. Për këtë arsye, Kryeparlamentari Kadri Veseli është duke u marrë me këtë çështje dhe javën që vjen mund të ketë një takim edhe me Ambasadorin Amerikan dhe Kryeministrin Haradinaj”, është shprehur Ismaili.

Autoriteteve të Kosovës ditë më parë kanë marrë një letër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë kërkuar pezullimin e menjëhershëm të taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.

Qëllimi final i taksës, sipas kryeministrit Ramush Haradinaj është dhe mbetet që Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri e konfirmoj se krahas Bashkimit Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ritheksuar qëndrimin për pezullimin e taksës.

Por, siç ka thënë Haradinaj, problemi i taksës nuk ndërlidhet me faktorin ndërkombëtar, por me qëndrimet e Serbisë karshi shtetit të Kosovës.

Ndryshe, sot në Kosovë për vizitë zyrtare do të qëndrojë Komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn ku do të takohet me kryeministrin Haradinaj, temë diskutimi do të jetë taksa. /Lajmi.net/

the authorBurbuqe Metolli