Aktuale

Kosova synon vrasjen masive të qenve në 2017

Organizatat dhe aktivistët e të drejtave të kafshëve janë alarmuar nga një draft rregullore e AUV, e cila parasheh eliminimin e qenve endacakë nëse nuk adoptohen brenda 30 ditësh.

Përpjekjet e institucioneve të Kosovës për zgjidhjen e problemeve me qentë endacakë përmes hartimit të një rregulloreje të re, e cila do të ketë fuqi ligjore, po kritikohen si çnjerëzore, nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve.

“Të përditshme dhe shumë të rrezikshme janë bërë sulmet nga qenët endacakë”, shprehu shqetësimin Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili në nëntor tha se kjo çështje duhet të trajtohet si emergjencë shtetërore.Ahmeti nuk është i vetmi nga kryetarët e komunave të Kosovës që në një mënyrë ose tjetër kanë ngritur duart nga përpjekjet për të zgjidhur këtë problematikë në nivel komunal.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, gjithashtu ka deklaruar se për rreth 4 mijë qentë endacakë të kësaj komune do duhen vite për të arritur një zgjidhje efikase që eliminon rrezikun për sulme ndaj njerëzve.

Sipas tij, metoda e kapjes, sterilizimit dhe lëshimit nuk ka rezultuar e efektshme deri më tani.

Ndërkaq, komandanti i Stacionit Policor në Pejë, Ndue Nikolla, ka vlerësuar nivelin e rrezikshmërisë si shumë të lartë.

“Këtu kemi qen që janë me epidemi të ndryshme, janë qen jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe mund të përhapin sëmundje te qytetarët të cilët mund t’i kafshojnë,” tha Nikolla.

Ligji në fuqi për përkujdesjen ndaj kafshëve e parasheh sterilizimin e kafshëve si metodë për zvogëlimin e numrit të kafshëve endacake.

“Me qëllim të zvogëlimit të popullacionit të kafshëve endacake, të rrezikshme dhe atyre të papërshtatshme për mbarështim, mund të përcaktohet steriliteti i obligueshëm i kafshës”, thuhet në nenin 6 të këtij ligji.

Ndërkaq , eliminimi i kafshëve në rastet e domosdoshme përshkruhet se duhet të bëhet vetëm me procesin e vrasjes pa dhimbje me preparate mjekësore, procedurë kjo që quhet eutanazi.

Një draft rregullore e punuar nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari e Kosovës (AUV) parasheh që qentë pa pronarë mund të qëndrojnë deri në 30 ditë në strehimore para se të eliminohen me procedurën e eutanazisë nëse askush nuk ofrohet për t’i adoptuar brenda kësaj periudhe.

Sipas AUV, për këtë draft rregullore janë konsultuar me institucione, individë dhe organizata, dhe nëse ajo miratohet, do të hyjë në fuqi në vitin 2017.

Megjithatë Organizata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve (OIPA) e vlerëson këtë pikë të rregullores si mizore dhe të pamenduar mirë.

Nga erdhi kjo rregullore?

Draft rregullorja e përpiluar nga AUV është një ndër aktet e para nënligjore që planifikohej për këtë çështje që para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ligji në fuqi për përkujdesjen e kafshëve daton në vitin 2006, gjegjësisht në kohën kur Kosova administrohej nga UNMIK-u.

Një nga kritikat që organizata OIPA i adresoi AVUK-ut rreth kësaj rregullore është përshtatja apo adaptimi që sipas tyre është bërë nga ligjet e vendeve ballkanike, që nuk janë shembuj të mirë për tu marrë.

Helen Wormser, përfaqësuese e kësaj organizate tha për Gazetën Jeta në Kosovë, se me këtë rregullore Kosova po ushtron një praktikë çnjerëzore ndaj kafshëve që sipas saj, është tipike për ligjet e Ballkanit.

“Pse të kopjohen ligje nga shtete të tjera ballkanike, kur ka shembuj më të mirë që respektojnë mirëqenien dhe të drejtat e kafshëve”, tha Wormser.

Dren Ajeti, hulumtues nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, konfirmoi se Kosova në të vërtetë synon të adaptojë ligje nga vendet ballkanike por nga ato që janë më mirë se ajo në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Për t’i bërë ligjet më të përshtatshme për vendin, hartuesit e ligjeve shpesh u qasen praktikave të vendeve të rajonit që në rrugën integruese janë më përpara nesh. Kështu, gjatë hartimit të projektligjeve shpesh bëhen krahasime mes ligjeve të ngjashme nga Sllovenia, Kroacia, por edhe Serbia dhe Shqipëria”, tha Ajeti.

Ndërkaq , AVUK pretendon se rregullorja është punuar duke u bazuar në shembuj të vendeve të Bashkimit Evropian, duke përfshirë vendet e rajonit.

Me çfarë preparati duhet të kryhet eutanazia?

Me rastin e hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, procedura e eutanazisë do të duhet kryhet në baza të rregullta megjithëse për të mungojnë preparatet e licencuara.

Hulumtimi i Gazetës JNK evidentoi në çfarëdo rasti kur paraqitet nevoja që të kryhet procesi i eutanazisë tek kafshët në Kosovë, ajo nuk mund të kryhet në rrugë ligjore sepse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës nuk ka licencuar asnjë preparat për kryerjen e kësaj procedure në Kosovë.

Megjithatë veterinerë dhe aktivistë të të drejtave të kafshëve kanë konfirmuar se procedura e eutanazisë kryhet në Kosovë përgjithësisht duke përdorur një preparat të quajtur T-61.

Ky preparat është kritikuar se shkakton vuajtje të mëdha tek kafshët nga organizata OIPA dhe aktivistë të tjerë për mbrojtjen e kafshëve.

Helen Wormser nga OIPA tha se preparatet që përdoren në Kosovë janë çnjerëzore sepse shkaktojnë vuajtje tek qentë gjatë etuanazisë.

“Të mbysësh një qen të shëndetshëm është joetike. Por nëse një qen vuan nga sëmundje do të duhej t’i nënshtrohet eutanazisë në mënyrë humane me preparatin Pentobarbital e jo me preparatin T-61 sepse ky i fundit shkakton vuajtje tek qentë, e paralizon deri në prekjen e trurit”, konstaton Wormser.

Mirëpo këtë e konteston veterineri nga Kamenica, Arben Sinani, i cili tha se preparati nuk përdoret i vetëm, por i kombinuar me anestezi që nënkupton se kafsha nuk ka dhimbje gjatë procesit.

“Preparati T-61… nëse zbatohet mënyra e përshkruar [kombinimi me anestezion], nuk ka asnjë problem te kafsha dhe nuk shkakton vuajtje”, tha Sinani.

Ndërkaq, preparati konsiderohet kontravers për përdorim edhe nga organizata Shoqëria Humane e Shteteve të Bashkuara (HSUS), sipas së cilës, ky produkt është hequr nga përdorimi në SHBA.

Sipas tyre, T-61 është larguar nga tregu nga prodhuesi në Shtetet e Bashkuara por gjendet akoma në Kanada.

Problemi i qenve endacakë në Kosovë vazhdon të jetë i theksuar në mungesë të një zgjidhjeje tërësisht ligjore, ndërsa draft rregullorja e re, objekt kritikash nga grupet e të drejtave të kafshëve, nuk dihet se çfarë zgjidhjesh do të ofrojë deri kur të hyjë në fuqi në formën e saj përfundimtare. /Lajmi.net