Aktuale

KQZ certifikon listën e votuesve në Drenas

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryesuar nga kryetarja Valdete Daka, ka mbajtur sot një mbledhje në të cilën janë shqyrtuar përgatitjet për zgjedhjet për kryetar të komunës së Drenasit që mbahen më 4 dhjetor, njofton KQZ’ja.

Kryeshefi Ekzekutiv i SKQZ-së, Enis Halimi paraqiti raportin lidhur me këto përgatitje.

Në vazhdim të mbledhjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për Certifikimin e Listës Përfundimtare të Votuesve (LPV) për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit, e cila përmban: 52 mijë e 569 emra të votuesve, me një rritje prej 2 mijë e 338 votues apo 4.45% në krahasim me zgjedhjet e fundit për të njëjtën komunë. Gjatë paraqitjes së Raportit Përfundimtar të LPV-së u bë e ditur se numri i Qendrave të Votimit në këtë komunë është 28 sosh (4 më shumë se në Zgjedhjet 2014) me gjithsejt 72 vendvotime.

Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim edhe për miratimin e dizajnit, përmbajtjes dhe formatit të Fletëvotimit për këto zgjedhje, që do të mbahen më 4 dhjetor 2016. Sipas vendimit të KQZ-së, Fletëvotimi, ndër tjerash, përmban: logon e KQZ-së; emrat e subjektit politik përkatësisht kandidatëve siç janë paraqitur në aplikimin për certifikim së bashku me numrin rendor; dhe tekstin udhëzues ”votoni vetëm një kandidat”.

Gjithashtu, KQZ-ja miratoi sloganin e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit, e që është: “Vendimi të takon ty”.

Në fund të mbledhjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve diskutoi lidhur me kërkesën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për pjesëmarrje në Reformën Zgjedhore. Pas diskutimeve, u vendos që kryetarja Daka të përfaqësojë KQZ-në në këto takime.