Aktuale

KQZ nesër publikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ka përfunduar numërimi i votave me kusht. Ndërsa nesër gjatë ditës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të dal me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së,Valmir Elezi, ka thënë për KosovaPress, se tashmë ka përfunduar numërimi i votave me kusht.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar numërimi i votave me kusht. Kanë qenë rreth 25 mijë vota të tilla të konfirmuara të cilat janë numëruar këtu në QNR. Dihet që ditë më parë ka përfunduar numërimi i votave të cilat kanë ardhur përmes postës. Rezultatet e këtyre numërimeve, sigurisht se i bashkëngjiten rezultatit përfundimtare të zgjedhjeve. Ndërsa sa i përket shpalljes së rezultateve përfundimtare pas përfundimit të të gjitha procedurave që janë të parapara këtu në QNR, KQZ do të shpall rezultatet përfundimtare. Këto rezultate do të jenë statistika të detajuara ashtu siç e obligon edhe ligji i KQZ-së. Pra do të ketë statistika të detajuara për çdo vend votim. Njëra nga detajet e rezultateve të cilat do t’i shpall KQZ“, tha Elezi.

Elezi ka thënë se nesër KQZ do të publikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit.

“Ne po shpresojmë që shumë shpejt KQZ do të dal me rezultate përfundimtare pas përfundimit të të gjitha procedurave të cilat të parapara këtu në QNR, pas përfundimit të këtij numërimi të votave me kushte. Po besojmë që shumë shpejt KQZ-ja do të dal me rezultate“, tha Elezi.

Sipas tij, menjëherë pas shpalljes së rezultateve fillon rrjedha e afatit 24 orësh i ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Ne do të duhet të presim përfundimin e kësaj periudhe edhe nëse do të ketë ankesa eventuale, pastaj edhe vendimet e këtij institucioni me këto ankesa në mënyrë që të procedojmë tutje drejtë certifikimit të rezultateve përfundimtarë”, tha Elezi./kp