Aktuale

KQZ tregon se a është e gatshme të organizojë zgjedhjet

Do të shkohet apo jo në zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së parevokueshme të Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit mbetët të vendos presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

E në rast se do të vendoset që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, ato duhet të ndodhin jo më afër se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë.

Sido që të jetë, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) thonë se janë të gatshëm për këto zgjedhje.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se sipas mandatit të saj KQZ-ja edhe është e gatshme të kryejë detyrat e përcaktuara ligjore dhe kushtetuese.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucion i përhershëm që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve kurdo që kërkohet”, tha Elezi.

Ramush Haradinaj të premten ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës.

Në fund të mbledhjes së Qeverisë ai ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Arsye e këtij vendimi ka thënë se është një thirrje për t’u paraqitur për t’u marrë në pyetje nga Specialja si i dyshuar.

Haradinaj ka lexuar letrën e dorëheqjes në përfundimin e mbledhjes së Qeverisë. Ai tutje ka shtuar se taksa do të vazhdojë të mbetet.

“Pas kësaj dorëheqje mandatin ia kthej popullit, ju jeni të parët që ju informoj. Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa krijuar vakuum, do i informojë zyrtarisht gjitha institucionet relevante, do i mbes gjithnjë besnik atdheut, ishte ndër t’i shërbej vendit. Dorëheqja është e parevokueshme”, ka thënë ai./FaktePlus